Rasti “Sopoti”: Reagon Lëvizja BESA

Lëvizja BESA ka reaguar ashpër ndaj shpalosjes së bombës së sotme në të cilën, mes të tjerash u publikua edhe biseda mes ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe Shefit të Shërbimit Sekret, Sasho Mijallkov, nga dialogu i të cilëve për rastin “Sopot” merret vesh saktë e qartë se pse ata të dënuar më shumë se dhjetë vite janë kalbur nëpër burgjet e Maqedonisë.

“Përveç etiketimeve raciste “shiptari”, aty në mënyrë taksative kuptohet qartë se të burgosurit e Sopotit nuk kanë qëndruar në burg për shkak se kanë pasur faj për ndonjë vepër, por vetëm sepse ashtu janë marrë vesh zyrtarët shtetërorë, që e kanë kontrolluar gjyqësorin. Dhe, aq më keq, aty kuptohet se ata janë të pafajshëm, porse hesapi i pazarit mes partnerëve të koalicionit është ai që vazhdon t’i mbajë në burg. Ky informacion është tejet shqetësues dhe brengosës për secilin njeri normal në këtë vend, por edhe për gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë, që të tolerohet një shkelje kaq e madhe e të drejtave të njeriut. Derisa disa qytetarë të Maqedonisë, në këtë rast shqiptarë, janë kalbur disa vite nëpër burgje, disa politikanë kanë bërë pazare në kurriz të tyre dhe, siç pohon në fund të bisedës ministrja Jankullovska, BDI-ja nuk e bën këtë sepse e ka dertin e shqiptarëve që dergjen nëpër burgje, por se këtë e bën për përfitime politike. Prandaj Lëvizja BESA reagon në mënyrën më të ashpër, duke bërë me dije se në Maqedoni nuk ka më kurrfarë vlere dinjiteti njerëzor, këtu nuk ka drejtësi dhe jeta e shqiptarëve në këtë shtet varet vetëm prej pazareve politike.”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.

Nga kjo lëvizje kanë shtuar edhe dyshimin proceset e tjera që janë zhvilluar kundër shqiptarëve ndër vite, ku spikat rasti “Monstra”. Gjykuar sipas këtyre informacioneve, sipas BESËS, i bie që edhe pasi këta të rinj shqiptarë të kalben në burg, do të dalë në shesh e vërteta, porse do të jetë shumë vonë.

“Nisur nga kjo, Lëvizja BESA – ashtu siç e kemi precizuar në platformën tonë “RIDEFINIMI” – i bën thirrje faktorit ndërkombëtar që të ndihmojë të krijohet urgjentisht një komision i pavarur i prokurorisë dhe gjyqësisë për rishqyrtimin e këtyre dhe rasteve të tjera, ndërsa pas këtij publikimi presim që të dënuarit në rastin “Sopot” të lirohen, të shpallen të pafajshëm dhe të dëmshpërblehen. Ndërkaq, krejt në fund, nuk mund të mos pyesin se çfarë kanë bërë zyrtarët shqiptarë ndër vite në pushtet derisa këto procese gjyqësore i kanë ndodhur popullit shqiptar në Maqedoni? Apo, edhe më saktë, pse kanë pranuar të bashkëqeverisin me njerëz që kanë këso trajtimi për shqiptarët dhe pse kanë lejuar që të drejtën kushtetuese, ligjore e natyrore tonën ta bëjnë temë të pazareve të tyre politike? Mos është përgjigja e kësaj pyetje në hipotekat që edhe ata mund t’i kenë?! Se shpjegim tjetër nuk ka?!”, qëndronë në reagimin e BESËS.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Përshëndes këtë reagim, por kam pritur që opozita shqiptare të dalë me një reagim të përbashkët kundër këtij racizmi që ushtron kreu i shtetit me mbështetjen e heshtur të partive shqiptare parlamentare. Interesant për këto masa drakonike kundër sjqiptarëve Rusia zyrtare e Putinit hesht. Çfarë mendon ajo perandori, a janë shqiptarët njerëz?

Back to top button