Shqipëri, qeveria tejkalon limitin e borxhit, 8.7 miliardë $

Shifrat e 6-mujorit, borxhi i jashtëm arrin në 3.7 miliardë USD, shtohet me 140 milionë dollarë në 6 muaj.

Qeveria për 6-mujorin e parë e ka tejkaluar limitin e vet të borxhit të parashikuar për gjithë vitin 2013. Në ligjin e buxhetit të shtetit, që nuk gjendet më në faqen e Ministrisë së Financave, theksohet se huamarrja vjetore e brendshme për mbështetjen buxhetore do të jetë deri në 28.019 milionë lekë. Por, qeveria deri në gjysmën e parë të këtij viti e ka tejkaluar këtë shifër.

Në raportin gjashtëmujor të borxhit, publikuar dje, theksohet se shtesa e borxhit të brendshëm është 29.528. Pra, me një tejkalim vetëm për 6 muajt e parë të vitit me rreth 15 milionë dollarë. Borxhi i jashtëm ka arritur në 371.652, ose 3.7 miliardë USD me një shtesë për 6 muaj prej 140 milionë USD. Në buxhet qeveria ka parashikuar të marrë 357 milionë USD borxhe nga jashtë. I gjithë totali i borxhit publik në 6-mujorin e parë ka arritur në 871.538 miliardë lekë, ose rreth 8.7 miliardë dollarë.

Në krahasim me vitin e kaluar, borxhi është rritur me 43.557 miliardë lekë, ose rreth 430 milionë USD. Shifra është mjaft e madhe po të kihet parasysh se vjet gjatë 12 muajve të vitit qeveria e rriti borxhin me rreth 554 milionë USD. Ndërsa këtë vit vetëm për 6 muaj është në shifrën e 430 milionë USD. Një tjetër pikë ku qeveria duket se ka dështuar është limiti që i kishte vënë vetes për shtimin e totalit të borxhit publik. Në ligjin e buxhetit të shtetit theksohet se “Stoku i borxhit shtetëror, përfshirë kursin e këmbimit, vlerësohet të arrijë deri në 860.722 miliardë lekë”.

Pra, rreth 860 milionë USD. Në raportin e borxhit të botuar dje theksohet se stoku i borxhit ka arritur në 871 miliardë, ose rreth 8.7 miliardë dollarë. Që në mes të vitit tejkalimi është i qartë. Në raportin e borxhit 6- mujor ka edhe një shifër tjetër që duket se është korrigjuar “fshehtas” nga Ministria e Financave dhe qeveria. Në ligjin e buxhetit të shtetit parashikohet që GDP-ja në vitin 2013 të jetë 1.430 miliardë lekë, ose rreth 14.3 miliardë dollarë. Në raportin e borxhit, shifra është korrigjuar dhe GDP parashikohet të jetë 1.407 miliardë lekë, ose rreth 14 miliardë dollarë. Ulja e parashikimit të rritjes ekonomike është me 300 milionë USD.

Kjo ka sjellë që raporti i borxhit me GDP të jetë 61.9%. Sidoqoftë, kjo vetëm për pjesën e parë të vitit. Deri në fund të vitit qeveria parashikon të mbledhë rreth 300 milionë USD më pak të ardhura. Ky deficit është parashikuar të mbulohet nga ulja e shpenzimeve. Gjë që do të jetë detyrë e qeverisë së re. Ulja e të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve në pjesën e parë të vitit, jo vetëm e ka devijuar politikën fiskale në një borxh më të madh, por do të ndikojë në uljen e shpenzimeve në pjesën e dytë të vitit dhe si rrjedhojë edhe në uljen e prodhimit të brendshëm.

Duhet theksuar se qeveria, me ndihmën e Bankës së Shqipërisë, ka arritur të marrë borxh me norma shumë të ulëta interesi, gjë që ka ndihmuar në uljen e shifrës totale të borxhit. Në një situatë tjetër, sigurisht që disbalanca fiskale do të sillte një rritje shumë më të madhe të borxhit. Një tjetër shifër që bie në sy është rritja ekonomike e parashikuar nga qeveria dhe rritja e borxhit. Deri tani qeveria ka marrë rreth 430 milionë USD borxh, ndërkohë që rritja ekonomike e parashikuar është me rreth 600 milionë USD. Pra, kontributi i biznesit privat është shumë i vogël. Një vit më parë, çuditërisht, borxhi që mori qeveria ishte më i madh se rritja ekonomike. / Panorama

Lajme të ngjashme

Back to top button