“BESA” në takim me ambasadorin Hysa: Kosova nuk është burim destabilizimi

Një delegacion i Lëvizjes BESA, në përbërje Afrim Gashi – zëdhënës i Lëvizjes dhe Zeqirija Ibrahimi – anëtar i Trupit Koordinues të Lëvizjes BESA, sot ishin në vizitë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup, ku u pritën nga Ambasadori Ylber Hysa.

Përveç diskutimeve të tjera mbi zhvillimet politike, temë e pashmangshme e bisedës ishte edhe ngjarja e fundit në fshatin Goshincë të Likovës. Me këtë rast delegacioni i BESËS edhe një herë shprehu shqetësimin që ka ngjallur ky incident teatral, që krizën politike në vend dëshiron ta shndërrojë në konflikt ndëretnik, madje – më vonë – ndoshta edhe në konflikt ndërfetar, ndërsa ritheksoi se për shtetin e Maqedonisë dhe për popullin shqiptar në këtë vend Republika e Kosovës është një vend mik dhe burim i stabilitetit. BESA konsideron se përfundimisht duhet të pranohet ky fakt dhe të ndërpritet praktika që Kosova të jetë fajtori kujdestar i problemeve të brendshme të Maqedonisë.

Delegacioni i BESËS edhe një herë e gjykoi interpretimin që u bë gjatë këtyre ditëve në opinion se gjoja ky konflikt e ka burimin në Kosovë.

Rruga e vetme e Maqedonisë dhe e gjithë shqiptarëve në Ballkan, vazhduan përfaqësuesit e BESËS, është integrimi në NATO dhe BE. Për BESËN është i rëndësishëm fakti që me çdo kusht të ruhet integriteti territorial i Maqedonisë, të mbretërojë paqja në vend, të ketë demokraci dhe zhvillim ekonomik, theksuan anëtarët e BESËS.

Ambasadori, nga ana e tij, e përgëzoi Lëvizjen BESA për qasjen konstruktive dhe serioze që ka ndaj zhvillimeve politike në vend dhe për ngritjen dhe kultivimin e miqësisë ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës. Ai po ashtu shtoi se Kosova në asnjë rast nuk është burim i destabilizimit për Maqedoninë, sepse kjo nuk është as në interes të shtet ndërtimit të Republikës Kosovës, por as të vetë të shqiptarëve në Maqedoni.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button