Parlamenti britanik, votoi kundër sulmeve në Siri

Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, është përballur me një goditje të rëndë, mbreme, sa i përket nxitjes së tij për një kundërpërgjigje të fortë, përfshi edhe sulmet e mundshme ushtarake, kundër Sirisë, pasi Dhoma e Lordëve votoi kundër këtyre masave. 

Votimi me 285 vota kundër dhe 272 vota pro erdhi vetëm pak minuta pasi parlamentarët refuzuan mocionin e Partisë Laburiste, për t’i dhënë më shumë kohë inspektorëve të armëve nga OKB për të mbledhur provat, nëse forcat e presidentit Bashar al-Assad kanë përdorur armë kimike në periferitë e Damaskut.

Një takim me dyer të mbyllura i Këshillit të Sigurisë në OKB, gjatë së enjtes, përfundoi pa marrëveshje mbi një rezolutë për adresimin e krizës së Sirisë, siç deklaroi një diplomat perëndimor për CNN, në kushtet e anonimatit.

“Ishte e qartë se nuk kishte përputhje idesh dhe asnjë marrëveshje në letër. Është e qartë se përpjekjet tona janë tepër të ndryshme dhe po marrim tashmë në konsideratë hapat e tjerë”, tha diplomati.

Anëtarët e Këshillit të Sigurisë presin inspektorët e armëve të OKB-së, për t’i dorëzuar Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-moon hetimet, vetëm pak momente pasi të largohen nga Siria gjatë ditës së shtunë. Ban Ki-moon do të njoftojë menjëherë OKB-në, sapo të marrë rezultatet në duar. 

Lajme të ngjashme

Back to top button