Civili i bën thirrje Gruevskit dhe Ahmetit të sillen në mënyrë të përgjegjshme

Në publik ka kohë që flitet se nxitja e konfliktit ndëretnik është varianti i skajshëm për shpëtimin e koalicionit të partive të Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit, sidomos pas zbardhjes së incizimeve me bisedat e përgjuara nga ana e opozitës.

Tensionet në Republikën e Maqedonisë vitet e fundit janë pasojë e politikave diskriminuese të koalicionit në pushtet, të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të retorikës nacionaliste, të cilat janë vetëm një pjesë e atributeve të sundimit të saj.

Nga liderët e dy partive udhëheqëse në pushtet kërkojmë që menjëherë të dalin në publik dhe me një deklaratë të përbashkët të shpjegojnë se a kanë kontroll mbi situatën. Kërkojmë që të japin garanci se nuk do të nxisin tensione të mëtejshme ndëretnike dhe të sillen në mënyrë të përgjegjshme.

Kërkojmë një shpjegim racional të situatës së përgjithshme lidhur me gjoja sulmin e UÇK-së në tokën maqedonase. Cili do të ishte motivi i UÇK-së për ta sulmuar stacionin policor në Gushincë, të maltretojnë policë dhe pastaj të largohen? Dhe, e tërë kjo në një moment tejet të ndjeshëm pikërisht për pushtetin aktual në Maqedoni, i cili nuk ofroi asnjë përgjigje për incizimet inkriminuese të cilat i publikoi opozita.

Realiteti politik dhe ekonomik në Republikën e Maqedonisë detyrimisht e imponon pyetjen: Me nxitjen e një konflikti të ri ndëretnik, a do ta mbyllë qarkun pushteti me shkeljen e rëndë shumëvjeçare të të drejtave dhe lirive të njeriut të të gjitha bashkësive në vend?

Në vitin 2001, banorët e rajonit të Likovës jetonin në kushte të rënda. Tani jetojnë më mjerueshëm. Atë që ndodhi atë vit, Ahmeti e quante luftë për të drejtat e njeriut. Katërmbëdhjetë vjet më vonë, jo vetëm në rajonin e Likovës, por në tërë Maqedoninë, të drejtat e njeriut edhe të maqedonasve edhe të shqiptarëve janë në një gjendje shumë më të rëndë.

Nuk guxojmë të lejojmë që për shkak të interesave të një grupi të vogël në pushtet të vuajë i tërë kombi!

Lajme të ngjashme

Back to top button