E përqafon Ronaldon – dy ditë burg për shqiptarin

Emrin e ka Ronald Gjoka, ndërsa idhulli i tij i madh është Cristiano Ronaldo. Dhe Ronaldi ëndërron prej vitesh të takojë Ronaldon, të adhuruarin e tij, gjë që nuk është aspak e lehtë. Gjoka 19 vjeçar, i cili është nga Shqipëria, jeton në SHBA dhe nuk ka pothuaj kurrë shanse ta shohë Real Madridin, Live.

E megjithatë atij shansi i erdhi “te shtëpia”, kur, dy javë më parë, mbretërorët zhvilluan një ndeshje në qytetin ku jeton Ronald Gjoka, në Miami kundër FC Chelsea, në “Guiness International Champion Cup”. Ndeshjen, bashkë me kupën, e fitoi Reali me rezultatin 3:1 ndërsa dy gola i shënoi, kush tjetër pos idhulli i Ronaldit, Cristiano Ronaldo. Duke parë se sa afër e kishte heroin e tij, Gjoka nuk mundi ta përmbante më veten: ai vrapoi në fushë, edhepse kjo është e ndaluar, u gjunjëzua para Cristianos dhe pastaj e përqafoi atë.

Ronaldo fillimisht u duk i befasuar, por megjithatë ia bëri qejfin adhuruesit të tij, e përqafoi edhe ai.

Një skenë e këndshme kjo por e papranueshme për personat që bënin sigurimin e ndeshjes. Ata ia dorëzuan Gjokën menjëherë policisë, e cila pa një pa dy, e futi atë në burg ku u desh të qëndronte dy ditë.

Kjo e shndërroi në yll në SHBA Ronaldin 19 vjeç, shkruan bild.de.

Me të hyrë në burg, të burgosurit tjerë e dinin tashmë nga televizioni se çfarë kishtre ndodhur, kështu që atij ia dhanë pseudonimin “Celebrity” (i famshmi).

Ndërsa Gjoka më vonë për mediet ka thënë: “Unë e përcjell Cristianon që nga koha kur ai ka luajtur për Mançesterin. Jam një fans i madh i tij, ai është idhulli im. Një shans i tillë për të qenë kaq afër tij, më jepet vetëm një herë në jetë”.

Në këto rrethana, nuk është aspak çudi që studenti shqiptar e ka marrë “me gajret” qëndrimin dyditësh në burg.

“Për diç të tillë ia ka vlejtur t`i kaloj dy ditë në burg”, ka thënë Ronald Gjoka.(albinfo.ch)

Lajme të ngjashme

Back to top button