Formohet grupi punues për zbatimin e rekomandimeve të komisionit

Është formuar Grupi punues që duhet t’i zbatojë rekomandimet e raportit të komisionit për ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit të kaluar.
Ky është rezultati i koordinimit të sotëm te kryetari i Kuvendit, Trajko Veljankoski në të cilin morën pjesë koordinatorët e të gjitha grupeve të deputetëve, përveç PDSH-së, dhe nënkryetarët e Parlamentit.
Si kryetar i Grupit punues është zgjedhur, Ilia Dimovski i cili njëherësh është edhe anëtar i VMRO-DPMNE-së krahas Bllagorodna Duliq, ndërsa anëtarë të LSDM-së janë Igor Ivanovski dhe Cvetanka Ivanova. Përfaqësues i BDI-së do të jetë koordinatori, Nexhati Jakupi.
“Me interes të përgjithshëm është zbatimi i rekomandimeve në raport veçanërisht  të atyre të cilat kanë të bëjnë me ndryshimet e Ligjit për Kuvendin dhe Rregulloren”, deklaroi koordinatori i grupit të deputetëve të BDI-së, Nexhati Jakupi pas koordinimit.
Silvana Boneva, koordinatore e grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, pret Grupi i punës në afatin më të shkurtër të mundshëm t’i përfundojë obligimet që Maqedonia të marrë raport pozitiv nga Komisioni Evropian dhe të tregojë, siç tha, se partitë politike mund të punojnë bashkërisht në interes të shtetit dhe qytetarëve.
Sipas Bonevës, shumica parlamentare, veçanërisht VMRO-PMNE, janë të gatshëm t’i realizojnë rekomandimet në tërësi. Partia njëherësh vlerëson se PDSH do ta rishqyrtojë mospjesëmarrjen e saj në Grupin punues duke e pasur parasysh se do të bëhen ndryshime në Rregulloren dhe Ligjin për Kuvendin.
Igor Ivanovski i LSDM-së e cilësoi koordinimin e sotëm si teknik.
“Presim që Grupi punues menjëherë të fillojë me punë dhe  të korrigjohet puna mjaft e keqe e deritanishme e Kuvendit. Fillimisht do të duhet të fokusohemi në Rregullore që të ndërpriten dispozitat të cilat i solli pushteti derisa LSDM-ja ishte jashtë Parlamentit”, deklaroi Ivanovski.

Lajme të ngjashme

Back to top button