PDSH-ja nuk merr pjesë në grupin punues

Partia Demokratike Shiptare sot nuk mori pjesë në koordinimin që u mbajt te kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanoski, ku u formua grupi punues që do të punojë në implementimin e 11 rekomandimeve të raportit të Komisionit ad-hoc. Për PDSH-në është farsë që pushteti dhe opozita nga blloku maqedonas kanë krijuar kriza e pastaj i kanë zgjidhur dhe presin përgjigje pozitive nga Brukseli, deklaroi koordinatori i PDSH-së, Imer Aliu.

Në koordinimin që zgjati rreth një orë, kanë marrë pjesë të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të Partisë Demokratike Shqiptare, si dhe ministri për shoqëri informatike, Ivo Ivanovski, në cilësinë e përfaqësuesit të Qeverisë, dhe eksperti i huaj, Piter Van Haus. 

Përfaqësuesit e PDSH-së e kanë arsyetuar mospjesëmarrjen e tyre, duke e cilësuar krizën politike maqedonase si një farsë politike. 

“Problemet e vërteta nuk janë në mes maqedonasve, por në mes maqedonasve dhe shqiptarëve”, deklaroi koordinatori i grupit parlamentar të PDSH-së, Imer Aliu. Ai njëkohësisht paralajmëroi edhe ngritjen e iniciativës për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në Kuvend. 

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, Aliu ka deklaruar se “propozimi i tillë është joserioz dhe pjesë e lojërave të pushtetit”. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button