fbpx

Një model për reformën në arsim

R. e Maqedonisë pas pavarësimit të saj, ju përvesh një pune të vështirë duke reformuar fusha të ndryshme, me qëllim që të krijojë një bazë të re të shoqërisë ndryshe nga ajo që ishte më parë.
Një ndër reformat të cilave R. e Maqedonisë iu kushtoi rëndësi është edhe reforma në arsim.

Reforma në arsim duhet bërë dalëngadalë, me përkushtim e me përkujdesjen më të madhe. Reforma është ndryshim i thellë dhe i gjerë, që bëhet në një fushë të veprimtarisë shoqërore, në këtë rast në arsim. Është riorganizim dhe shndërrim i thellë i sistemit të arsimit, që tani për tani te ne nuk po ecën as si duhet e as sa duhet.
Reforma, varësisht nga objektivat e përcaktuara më parë, mund të jetë e thellë, rrënjësore, e pjesshme apo gjysmake, varësisht nga fakti se ç`duam të arrijmë. Por, tek ne, në këtë fazë që jemi, ajo nuk është as e thellë e as rrënjësore, as e pjesshme e as gjysmake, edhe pse bëhet zhurmë e madhe për reformën në arsim.

Një opsion i mirë do të ishte marrja e modeleve për reformën e arsimit nga vendet perëndimore, si për planet dhe programet mësimore, ashtu edhe për skemat e financimit. Por me marrjen dhe zbatimin e modeleve shpesh shtohet dhe zbatohet shprehja, “në përshtatje me kushtet konkrete të vendit”.
Në pjesën e parë të shekullit të 20 Finlanda, krahasuar me fqinjët e saj nordikë, ishte një shtet “i zhvilluar më vonë”, më e varfër se të tjerët e me nivel më të ulët arsimor. Por, investimi i jashtëzakonshëm që bëri në arsim dha rezultate të shpejta. Sistemi, me të cilin ishin përgatitur edhe shumë prej mësuesve të saj të zotë, ishte i mirëstrukturuar.

Po të lëvizje atëherë shkollë më shkollë, do të shihje sesi të gjitha kishin pothuajse të njëjtat programe. Parimi ishte i qartë: fëmijët nuk mund të hyjnë në shkollë pa mbushur 7 vjeç, mosngarkimi i madh i fëmijës, çka dëshmohet nga fakti që provimi i parë i detyrueshëm është vetëm në moshën 16 vjeç. Gjatë 9 viteve të para të shkollës, 30% e fëmijëve atje marrin ndihmë shtesë; klasat shkencore nuk kanë më shumë se 16 nxënës, në mënyrë që secili prej tyre të marrë pjesë në eksperiementet praktike; fëmijët e shkollës fillore kanë mesatarisht 75 minuta pushim në ditë krahasuar me 27 që kane ata në Amerikë; sistemi shkollor financohet 100% nga shteti dhe të gjithë mësuesit duhet të kenë një diplomë masteri.

Për shumë kohë, dallimi mes nxënësve të dalluar e atyre të dobët në Finlandë ka qenë më i ulëti në botë. Shkollën e lartë e përfundojnë 93% e finlandezëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button