Thaçi dyfishon luksin

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, sivjet e ka dyfishuar luksin krahasuar me vitin paraprak. Gjatë qëndrimit jashtë shtetit, nëpër udhëtime zyrtare, ai ka shpenzuar për gjashtë muajt e parë të vitit 2013 aq sa ka shpenzuar gjatë tërë vitit 2012 duke dyfishuar harxhimet.

Bazuar në të dhënat zyrtare që ka siguruar gazeta “Zëri” nga Zyra e Kryeministrit, nga janari deri në qershor të këtij viti kryeministri ka shpenzuar mbi pesëdhjetë mijë euro, saktësisht 50.496 euro

Pjesën më të madhe të kësaj shume, rreth 43 mijë euro, ai i ka shpenzuar për akomodim, që nënkupton qëndrime në hotele luksoze, dhe mbi 7 mijë euro për dreka e darka. Ndërsa, pjesa tjetër, që është mbi katërqind euro ka shkuar si provizion bankar, përkatësisht shpenzim i përdorimit të kartelës në një shtet tjetër.

Pak më i “mëshirshëm” me paranë publike kryeministri i shtetit është treguar gjatë vitit të kaluar. Nga janari deri në dhjetor të 2012 Thaçi ka shpenzuar 51 mijë e 375 euro.

Nga kjo shumë, rreth 44 mijë euro ai i ka shpenzuar për akomodim vetëm nëpër hotele, rreth shtatë mijë për dreka dhe darka, si dhe mbi pesëqind euro i janë tërhequr si provizion bankar, shkruan “Zëri”.

Lajme të ngjashme

Back to top button