IDEOLOGJIA E TUALETIT

Një nga termat e sociologjisë bashkëkohore është edhe racializimi, që nënkupton një teori sipas të cilës raca përcakton veçoritë dhe kapacitetet e njerëzve, bindja se disa raca janë rrënjësisht superiore ndaj të tjerave. Racialistët në përgjithësi mund të identifikohen si njerëz me tendencën që në çdo diskutim ta bien muhabetin te raca ose grupi tjetër, të cilin ata e konsiderojnë më pak të vlefshëm. Në kontekstin e Maqedonisë si në të kaluarën edhe sot shënohet një vijë e përbaltjes në baza nacionale, një racializimi nacional(ist), i pjesëtarëve të “klasës brahmane” të këtij shteti, i një pjese të mirë të maqedonasve, ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve, gjë që u vërejt qartë edhe në rastin e bombave të Zaevit, ku mes tjerash ndodhi edhe kjo: shqiptarët u indianizuan. Indianizimi nënkupton përçmimin që ardhacakët ua kanë bërë vendasve amerikanë, të cilët para ardhjes së europianëve kanë numëruar mbi 300 entitete, që  gjatë kontakteve të shekullit të parë me europianët, në përmasë prej 90 % do të zhduken për shkak të sëmundjeve dhe kryesisht për shkak të vrasjeve masovike të bëra nga migrantët prej Kontinentit të Vjetër. Sot indianët, janë racë thuajse e zhdukur, janë bërë histori. Aborigjenët ngjashëm!

Kryetari i parlamentit dhe ministrja e brendshme në këtë Maqedoni të demarshit irracional, duke përdorur termin indianët për deputetët shqiptarë, kanë bërë një gabim fatal, atë që nuk lejohet të bëhet në asnjë lëmë të jetës, kanë etiketuar për keq një popull. Në ndeshjet e futbollit një nga siglat më të përdorura është ajo: “Respekt! Thuaj jo racizmit” Për kë respekt? Për të gjithë ata që janë pjesë e lojës, dhe më gjëre. Te ne në lojën politike janë përfshirë të gjithë grupimet sociale, të mëdha, të mesme e të vogla. Të gjitha janë relevante nga aspekti i filozofisë politike. Imagjinoni se si do të sillet qytetari i thjeshtë kur prijatarët kanë kësifarë konstrukti mental, kur racializojnë trungun përfaqësues shqiptar, e me këtë të gjthë neve. Corruptio optimi pessima (Më e keqja e të këqijave është kur prishet më e mira!) – kanë thënë latinët. Pra kur udhëheqësit e gërditin dhe e infektojnë popullatën me diskursin e tyre, s’ke se si të presësh të nesërme të mirë. Kjo shkollë politike e VMRO-së që herë i shan romët, herë shqiptarët, duket se e sheh veten në një pasqyrë që të paraqet shumë më të madh se sa je, se ka mendësi të kolonialistëve antiaborigjenë, një biopolitikë kjo ekskluziviste… Kjo është një formë e barbarizimit, e trafikimit të një ideologjie vrastare. Identitet vrastar.

Nëse ne shqiptarët jemi indianë, atëherë kjo do të thotë se destinacion i kemi rezervatet, se duhet të deportohemi dikah dhe se s’vlejmë qindarkë për këtë “komb të zgjedhur”. Vërtet, shprehur me fjalët e Zhizhekut, i cili me tërë kontradiktoritetin e vet ligjërimor këtyre ditëve ishte në UCLA dhe Princeton, kjo është një ideologji e tualetit, një ideologji e kundërmimit masovik, andaj duhet flakur sa më shpejt nëse duam të jemi pjesë e kësaj hapësirë jetike së bashku. Ky është një lloj i terrorizimit të ardhmërisë së të gjithëve, sepse si mund të ndërveprojmë kur e dimë se çfarë mendojmë për njëri-tjetrin, kur dihet fati i indianëve, metodat që shpunë në dekonstruksionin antropologjik, kulturor dhe demografik të tyre. Diskursi indianizues na indinjon të gjithëve, nga largon nga eurotipet dhe na shpie drejt trajtimeve kolonialiste dhe imperialiste, kur kanë qenë në skenë dy palë: “i civilizuari”-“civiluzuesi” dhe “nevojtari për t’u civilizuar” a për t’u eliminuar. Edhe hutu-tutsit, edhe burukaminët, edhe romët, edhe shudra, edhe Ota Benga kanë dinjitet. Ithtarë të logjikës indianizuese: Shtypeni butonin e sifonit! Sa më shpejt më mirë. Na e banalizuat dhe na e degraduat normalitetin dhe agjendën ditore, madje edhe dialogjikën shkrimore. Zhizheku është vërtet një pop filozof i madh, edhe kur ndërlidh gjëra të pandërlidhshme ideologjinë me tualetin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button