Sauditët provuan ta korruptojnë Rusinë për Sirinë?

Arabia Saudite raportohet t’i ketë ofruar Moskës 15 miliardë dollarë për ta ndërprerë mbështetjen e saj për Bashar al-Assadin, por Kremlini ka pak arsye për të pranuar.

Një lajm bajagi i çuditshëm dhe i vështirë për t’u konfirmuar, i cili po vazhdon që të kthehet në qarqet mediale sikur zombi, përshkruan një përpjekje të supozuar të Arabisë Saudite për ta korruptuar Rusinë që ajo t’ia kthejë shpinën klientit të saj sirian, Bashar al-Assad, me një ofertë masive 15 miliardë dollarëshe për armë dhe me kontrata të majme për naftë dhe për gaz, transmeton Tribuna.

Lajmi i referohet një takimi katërorësh të 31 korrikut të sivjetmë ndërmjet presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe kreut të inteligjencës saudite, princit Bandar bin Sultan, në një vilë të Putinit në periferi të Moskës. Takimi i tyre ishte raportuar gjerësisht nga mediet arabe ato ditë, bashkë me versionin, me sa duket të zbuluar nga sauditët, se princi Bandar i ka ofruar Putinit kontrata marramendëse për të blerë tanke, helikopterë luftarakë dhe pajisje të tjera ushtarake nga Rusia në shkëmbim të pajtimit të Rusisë për të zvogëluar mbështetjen e saj për Al-Assadin dhe për të mos përdorur më veton ndaj rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Sirinë.

Por, lajmi është hedhur poshtë nga Kremlini më 9 gusht. Arkitekti i politikës së jashtme i Putinit, Yury Ushakov, ka pranuar se takimi me kreun e inteligjencës saudite ka ndodhur, por ka thënë se janë diskutuar vetëm disa çështje “filozofike”. “Nuk është diskutuar për kurrfarë bashkëpunimi specifik ushtarak”, ndonëse është shprehur një shqetësim i përbashkët për luftën civile në Siri, është cituar të ketë thënë Ushakov nga agjencia zyrtare ruse e lajmeve “RIA-Novosti”. “Ka qenë një diskutim shumë i gjallë dhe interesant i natyrës filozofike”, është shprehur zyrtari i Kremlinit.

Rusët dhe sauditët kanë shumë çështje për të diskutuar në parim, dhe disa burime sugjerojnë se takime sekrete si ky i fundit mbahen rregullisht qe disa vjet me radhë. Dy vendet janë prodhuesit numër 1 dhe 2 të naftës në botë, ndërsa e zëvendësojnë shpesh njëra-tjetrën në pozitën e parë.

Disa versione të lajmit për takimin mes Bandarit me Putinin sugjerojnë se kreu i inteligjencës saudite ka shkuar aq larg sa që i ka ofruar Rusisë ndihmën e Arabisë Saudite për parandalimin e rreziqeve të mundshme terroriste në olimpiadën dimërore në Soki, dhe ka sugjeruar se olimpiada mund të jetë në rrezik nëse Moska nuk ia kthen shpinën qeverisë së kundërshtuar të Al-Assadit.

Disa ekspertë rusë thonë se lajmi për ofertën e Bandarit për Putinin mund të jetë i saktë, por se ata dyshojnë se Putini – i cili mund të harxhojë mbi 50 miliardë dollarë nga paratë e naftës ruse për të organizuar olimpiadën – do të hiqte dorë nga politikat e tij për Sirinë në shkëmbim të fitimit të disa miliarda dollarëve nga disa kontrata të dyshimta për armë. “Po, duket se Arabia Saudite ka bërë një ofertë për të blerë armë ruse me vlerë prej 15 miliardë dollarë, por Kremlini ia ka bërë asaj të qartë se nuk është i interesuar për marrëveshje të fshehta. Dhe, kështu oferta është hedhur poshtë”, ka thënë Vladimir Sotnikov, një njohës i Lindjes së Mesme në Institutin e Studimeve Orientale në Moskë.

“Rusia ka mjaft elemente në favor të qëndrimit të saj karshi Sirisë, saqë nuk sheh arsye për të rrezikuar reputacionin e saj me një lëvizje të tillë”, ka shtuar ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button