fbpx

Shkëndija reagon: Referimi i këtillë shkatërron futbollin! (Video)

Duke analizuar ndeshjen e fundit me Rabotniçkin në Shkup në kuadër të xhiros së 25-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë dhe mënyrën se si arbitri Dejan Jakimovski ndikoi direkt në epilogun e takimit, reagojmë ashpër ndaj mënyrës së këtillë të ndarjes së drejtësisë. Ne si klub jemi të vetëdijshëm se nuk jemi duke luajtur në formën tonë më të mirë dhe fajin e dështimeve para se gjithash e kërkojmë në radhët tona. Sigurisht që nuk na pëlqejnë humbjet, por është qartë se ambiciet tona janë afatgjata dhe për ndërtimin e asaj që kërkojmë duhet kohë. Mirëpo vlerësojmë se referimi i padrejtë është shkatërues i ambicieve jo vetëm të skuadrës tonë, por pengesë e avansimit të futbollit në përgjithësi. Nuk arrijmë të kuptojmë se si është e mundur një arbitër t’i lejojë vetes të ndikojë në rezultatin e një ndeshje futbolli, duke dëmtuar në këtë mënyrë cilëndo skuadër. Dejan Jakimovski me vendimin e tij për të treguar penalty në kohën shtesë befasoi edhe vetë futbollistët e Rabotniçkit. Gjithashtu lejoi vendasit të shënojnë gol edhe pasi portieri ynë priti penaltinë, kurse Altiparmakovski shënon golin e fitores duke hyrë në zonë para se Ilijoski të ekzekutonte goditjen nga pika e bardhë. Kjo nuk është hera e parë që ne në kohën shtesë humbim një ndeshje me penalti të paqenë. Kujtojmë se në xhiron e 14-të të këtij sezoni Renova fitoi 1:0 përballë Shkëndijës me penalti të treguar në kohën shtesë nga arbitri Faton Mustafi, në rrethana kur futbollisti ynë e kontrollon topin me gjoks. Gabimet e arbitrave i përcollën edhe ndeshjet Shkëndija-Teteksi dhe Shkëndija-Renova, në të cilat skuadra jonë pësoi humbje me referim anues për ekipet kundërshtare. Ky avaz vazhdon dhe ne vlerësojmë se është bërë e tepërt që pikët t’i humbim si rezultat i gabimeve të arbitrave, që duke shpeshtuar shfaqjet e këtilla na bëjnë të dyshojmë nëse gabimet bëhen me paramendim. Në KF Shkëndija investohen mjete të mëdha në përpjekjet për të ndërtuar skuadër cilësore e cila do të kontribuonte në avansimin e futbollit në Maqedoni, mirëpo referimet jokorrekte në fushë i vështirësojnë këto përpjekje. Në video materialet e bashkangjitura shihen qartë dëmet e shkaktuara nga arbitrat. Me përgjegjësi të plotë konstatojmë se ndarja e këtillë e drejtësisë dëmton futbollin në përgjithsi dhe pengon prosporitetin e këtij sporti për të cilin ne të gjithë bëjmë përpjekje ta avansojmë e ta çojmë përpara. Duke ditur se klubet dhe FFM-ja e mbështesin qëllimin e përbashkët për ngritjen e nivelit të cilësisë së futbollit në vend, presim që pikërisht Federata e futbollit të Maqedonisë të jetë më e angazhuar për tu siguruar klubeve referim korrekt. Do të ishte pak sa absurde që FFM të presë reagimin e klubeve dhe pastaj të marrë masa ndaj gabimeve apo vendimeve të paramenduara të arbitrave në dëm të një skuadre të caktuar. Interesi ynë i vetëm si klub është të kemi ndarje korrekte të drejtësisë dhe këtë duhet ta garantojë FFM-ja. Ne parashtrojmë publikisht pyetjen nëse shtëpia e futbollit vendor mund të na garantojë referim të drejtë?! Përgjigjen e kësaj pyetje duam ta shohim në terren, sepse nga ndëshkimet e arbitrave për referim të padrejtë skuadra e dëmtuar nuk fiton gjë. Shkëndija respekton të gjitha pikat sipas rregullores për pjesëmarrje në garat e organizuara nga Federata e futbollit të Maqedonisë dhe nga po kjo federatë kërkon përmbushjen e detyrimeve ndaj klubeve pjesëmarëse, me thkes të veçantë referimin e drejtë.

Lajme të ngjashme

Back to top button