Karakaçanov: Mbi 90 mijë maqedonas kanë pasaportë bullgare

Bullgaria duhet të krijojë kushte për të gjithë qytetarët e Maqedonisë të cilët duan të kenë pasaportë bullgare, në mënyrë që të mund ta fitojnë atë, tha zëvendës kryetari i Parlamentit bullgar, Krasimir Karakaçanov.

Karakaçanov, lideri i VMRO- BND nga Bullgaria pohon se 90 mijë maqedonas tani më janë pajisur me pasaportë bullgare.

“Deri vitin që lamë pas rreth 90 mijë maqedonas janë pajisur me pasaportë bullgare, ndërkaq gjatë këtij viti është e mundur që ky numër të kalon 100 mijë. Numri nuk na intereson, por na intereson ajo që Bullgaria të krijojë kushte për të gjithë qytetarët e Maqedonisë të cilët duan të kenë pasaportë bullgare, të mund ta fitojnë atë”, tha Karakaçanov.

Ai ishte prezent në konferencën e mbajtur në Manastir, me rastin e 5 vjetorit të themelimit të Shoqërisë bullgaro-maqedonase.

“Bullgaria dhe Maqedonia duhet të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore, të mos zihen për gjëra të kota. Pjesët historike të ua lëmë historianëve. Ajo nuk është punë e politikanëve, puna jonë është të krijojmë kushte që maqedonasit dhe bullgarët të jetojnë më mirë”, shtoi Karakaçanov.

Në konferencë ishte pjesëmarrës edhe eurodeputeti bullgar Angel Xhambaski.

Ai theksoi se “ashtu si Bullgaria që ishte ndër vendet e para që njohi Maqedoninë, ashtu edhe Maqedonia duhet të pranojnë qytetarët e territorit të saj që janë deklaruar si bullgarë”.

Në këtë manifestim morën pjesë mijëra mysafirë nga Manastiri, Velesi dhe Probishtipi, ku kjo shoqëri numëron mbi dy mijë anëtarë dhe simpatizues.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button