“Indijancët” e quajtur – gomari që duron                         

Më duket se nuk ekzistuakan aso fjalësh poshtëruese VMRO-iste ndaj Shqiptarëve sa partiakët tanë nuk mundkan t’i durojnë. Këtu nuk është fjala vetëm për BDI-në (së cilës i është zënë bishti në derë dhe pret të ngordhë ujku që ta gjuajë), apo PDSH-në (besnikërisht e betuar gjer në vdekje), por sikur edhe partitë e reja dobët luajnë lojën, me siguri nga komplekset e pubertetit. Terrenin e kanë që partisë shqiptare në pushtet vazhdimisht t’i shënojnë gola e njëherit njerëzve t’ua kthejnë dinjitetin dhe krenarinë, por ata sikur pa vetëdije vazhdojnë të luajnë që serish të fitoj BDI! Në vend që vendosmërisht të dalin dhe t’i bashkëngjiten koalicionit për rrëzim të Qeverisë dhe fuqishëm të poentojnë, ata mbyllen në lëvozhgën e vet me (jo)logjikën – mos të na akuzojnë se jemi të afërt me LSDM-në !? Nga frika që mos të akuzohen nga një përqind destruktivësh (kryesisht të finguar), ata humbin 99 përqindshin shqiptar që kërkon rrëzimin e Qeverisë! Këtë zbraztirë të madhe me mjeshtri e shfrytëzon BDI, e cila edhe përkundër avarive të shumta politike viteve të shkuara dhe tani, ajo sërish mbetet faktor më relevant shqiptar. Po që se edhe tani kur BDI s’ka më asnjë adut të logjikshëm politik, partitë e reja nuk e gjejnë veten, atëherë më mire është që të rinë në shtëpi. Partia politike nuk ndërton politikë bazuar në fjalët e rrugës, por në analiza të thella profesionale të të gjitha komponentëve shoqërore (pozicionet, gjeopolitika, marrëdhëniet ndërkombëtare, resurset, kulturat, interesat e fuqive të mëdha, baraspeshat etj).

Fakt është se po që se nga BDI largohet rryma e komprometuar dhe e harxhuar, e timoni partiak i afrohet rrymës që rrëzoi stemën me luanin dhe ndryshimet kushtetuese, atëherë BDI serish do të fuqizohet në elektoratin shqiptar. Për ndryshe edhe ajo do të shkatërrohet njësoj si PPD-ja, kurse Shqiptarët me siguri se do të votojnë për parti tjera që drejtpërdrejti do të ishin meritore për rrëzimin e Gruevskit. Edhe ashtu kreu i tanishëm i BDI-së ka injorua intelektualët, kurse rregullisht ka avancuar krimin dhe njerëz ose pa fytyrë ose me shumë fytyra.

Absurde është të mos ndeshesh frontalisht me strukturën të cilën qartë Uashingtoni e vë në listën e të akuzuarve! Madje edhe Brukseli që vite me radhë jepte raporte të rrejshme për Maqedoninë, tani detyrohet të veprojë ndryshe, kurse te partitë tona se bëjnë as më elementaren! Thirrja në Vetëvendosjen jo vetëm që s’ndihmon gjë, por dukshëm dëmton. Ajo ndoshta kënaq një pjesë të një strukture rinore, por ndërkombëtarisht izolon dhe i gjithë uji përfundon në mullinjtë e krahut famëkeq të BDI-së.

A s’ka tema tjera pos të zbukurohemi me pupla të huaja? Përse partitë e reja nuk brengosen për mega-larjen e parave që për 9 vite ka arritur shifrën prej pesë miliardë eurosh (pjesë e madhe e tyre janë para edhe tonat)!? Çdo banori i janë vjedhur rreth 2.500 euro (një familje pesë-antarëshe rreth 12.500 euro, para të cilat në të ardhmen do të duhet t’i paguajmë). Përse nuk gjuajnë krimin e organizuar!? Pse nuk shkundin ”Shkupin 2014”, Përse nuk sulmojnë de-institucionalizimin e shtetit!? Përse heshtin de-profesionalizimin e jetës publike!? Përse heshtin diskriminimin investues, nënçmimin njerëzor, etnik e shumë të tjera!? Nga Maqedonia janë larguar rreth gjysmë milioni njerëz ku pjesë e madhe janë Shqiptarë. Nuk mjafton çështjet qoftë si mangësi apo vizon një apo dy herë të thuhen. Ata duhet të kultivohen dhe në kontinuitet të afirmohen, spjegohen, përsëriten, njësoj si një bimë që ka punë që nga mbjellja e gjer te vjelja.

Tani sikur na pëlqen të jemi “Indijanci”, “Shiptari” dhe “Nepismeni”. Jemi “Indijanci” që meritojmë emrin – gomari që duron. Të gjitha investimet me lobim të qeverisë janë bë në lindje të shtetit, kurse kreu i BDI-së këtë vazhdimisht e heshtë. Krenaria dhe dinjiteti serish janë nëpërkëmbë. Dhe tani nuk habit fakti se po të ketë votime sot, pjesa dërmuese shqiptare publikisht deklarojnë se do të votonin LSDM-në. Disa pushtetarë humbin mendjen kur t’u bje në mendje se humbin pushtetin. Tani, në përfundim të këtij shkrimi kuptova për dorëheqjet që i pritja. Mendoj se këta persona nuk duhet të gjunjëzohen para atyre që për hire të xhepit të vet vite me radhë janë në koalicionim me djallin. Nga ata që kanë pak tru e moral, por shumë para e keqpërdorime. Kur kemi parasysh se lopata magjike e Gruevskit një të hedhur e ka 40 milion euro, diçka ka pikuar edhe për ata që atij vite me radhë i japin jetë! Por, në atë zemër ku flenë Gruevski, s’mund të ketë vend as për popull e as për Zot. Ata edhe partinë e vet do ta shndërrojnë si ajo e partnerit të vet shqiptar (gjoja opozitë) – parti me vulë, por pa anëtarë!!!

Lajme të ngjashme

Back to top button