Katër vite më parë

Ia kisha thënë katër vite më parë … në një mënyrë e kisha paralajmëruar.
Ishte koha kur kontaktonim shpesh … pak para fushatës së zgjedhjeve 2011. Një ditë para se të mbyllej afati për dorëzimin e listave më mori në telefon dhe i ngazëllyer më pyeti: “A ta merr mendja ty, se unë do të jem bartës i listës?’ 
-“Po” – i thashë – “e mora vesh që dje dhe më vjen mirë për këtë, por kjo nuk ka për të ndryshuar asgjë sepse ti nuk do të vendosësh gjë. Problemi i BDI-së është i njëjtë me problemin e PDSH-së … problemi i saj është kryetari i saj. Peshku qelbet nga koka” – e mbaj mend mirë se i thash në telefon. 
U mundua të më bind për të kundërtën … më tha se partinë e tij e presin ndryshime të mëdha dhe filloi të më përmendë një varg emrash të personave të vjetër të përfolur për korrupsion të kësaj partie që sipas tij do të largoheshin. 
Tani, katër vite më pas u largua ai vet … ata që ai thoshte se do të largohen katër vite më parë, tani edhe katër vite më pas janë njerëzit më të besuar të Kryetarit të partisë së tij dhe funksionarë të lartë të përjetshëm të kësaj partie. 
*** 
Shtatë vite më parë, pasi BDI-ja kishte fituar zgjedhjet e vitit 2008, kryetar i komisionit të BDI-së për shëndetësinë, një kolegu im, më kishte ofruar disa herë që të bëhem drejtor i klinikës së kirurgjisë plastike në Shkup, ku unë punoj. Në atë kohë ishim pak specialistë shqiptarë në Spitalin shtetëror, meqë shumica e mjekëve shqiptarë të punësuar nëpër klinika ishin ende specializantë. Aq shumë ishte përfolur nëpër spital zgjedhja ime drejtor si punë e kryer sa që mu desh ta qetësoj drejtoreshën e klinikës time, e cila ishte në stres të madh se po ia merrja karrigen, duke i treguar se nuk kisha ndër mend ta pranoj një ofertë të tillë. 
*** 
E kisha lexuar diku një tregim për një plak nga fisi indian Cherokee, i cili teksa po e mbante në prehër nipin e tij po i thoshte: ‘brenda secilit nga ne ndodhen dy ujq. Njëri është i egër, i lig, i pangopur dhe mizor, ndërsa tjetri i urtë, i matur, i përmbajtur dhe i ndjeshëm.” 
“Këta dy ujq janë në luftë të përhershme mes veti brenda nesh’ – po i sqaronte gjyshi të nipit që po e ndiqte me shumë vëmendje. 
‘E cili nga ata do të fitojë, gjysh?’ – e pyet nipi kurreshtar. 
‘Ai që do ta ushqesh ti vet, biri im!’ – i përgjigjet plaku. 
*** 
Kur futesh në një rreth të ri, gjëja e parë që duhet të bësh kujdes është të shohësh mirë se ku futesh dhe të sigurohesh se a është ai rrethi të cilit i takon edhe ti. 
Çdo subjekt politik ka njerëz që janë afruar aty për interesa personale, një pjesë edhe për përfitime direkte apo edhe për qëllime të ulta, por ajo që është më kryesorja është drejtimi që merr subjekti. Dhe në përcaktimin e drejtimit fjalën kryesore e ka i pari i saj, kryetari i saj. Roli i liderit është thelbësor kudo … edhe në vendet perëndimore … sepse atij i bie barra për të udhëhequr. Ai e sheh fare mirë se kush çfarë qëllimesh ka … dhe ai vendos në fund se kë do të favorizojë … të mirët apo të këqinjtë … është pak a shumë si ajo puna me dy ujqit! 
Ajo që filloi të dukej shtatë vite më parë dhe që u bë e qartë katër vite më parë ishte se problemi i BDI-së është i njëjtë me problemin e PDSH-së … se problemi i saj është kryetari i saj … se kryetari i saj nuk ka qëllime të mira … se ai është përgjegjësi kryesor për çdo gjë … jo vetëm për bërjen e pazareve poshtëruese me palën tjetër pas zgjedhjeve … jo vetëm për caktimin e dështakëve dhe dallaverxhinjëve në postet kryesore … jo vetëm për vendimet e dëmshme të marra nga ai vet dhe askush tjetër … jo vetëm për lejimin e degradimit të vlerave … jo vetëm për ngritjen e halabakëve … por edhe për pasojat katastrofale të cilat po i përjetojmë … për të cilat ai bën sikur nuk di gjë … sikur nuk i sheh … ashtu siç bën se nuk ka gisht edhe për situatat që i monton po ai vet … edhe kur i shtyn palët kundër njëri tjetrit dhe vet rri e vëzhgon indiferent luftën mes tyre. Ai është autori i së keqes … ai është personi që ka sjellë, ka ngritur dhe ka favorizuar të keqen brenda asaj partie dhe brenda kësaj shoqërie … për më keq, jo në pak raste ai ka afruar dhe favorizuar elementet kriminale brenda asaj strukture … dhe këtë e ka bërë me vetdije të plotë, sepse qëllimet e tij janë të tilla. Pa lejen e tij kjo që po përjetojmë sot nuk do mund të kishte ndodhur asnjëherë. Asaj parti prej kohësh nuk i ka mbetur asnjë ideal, pos atij të përfitimit personal … nuk i ka mbetur asgjë kombëtare. T’i bashkëngjitesh një subjekti të tillë do të thotë, ose të kesh për qëllim përfitimin personal, ose të jesh naiv i madh.
*** 
Katër vite më parë ia pata thënë kolegut tim, atë që e ka thënë fjala e urtë popullore shumë kohë më parë “peshku qelbet nga koka”. Ia kisha përsëritur këtë edhe dy vjet më parë kur ishim takuar para zgjedhjeve lokale.
Dikush e kupton me kohë … ndërsa dikush me vonesë. Më mirë është me kohë … por edhe si i thonë një fjale “më mirë vonë se kurrë”. Ndodh shpesh që njeriu në jetë të vendoset para dilemës së vjetër: “Sokrat i vuajtur apo derr i kënaqur” … dhe secili nga ne e bën vet zgjedhjen e vet!

Lajme të ngjashme

Back to top button