Edhe një disfatë për Shkëndijën

Një penalti e dyshimtë e referuar për Rabotniçkin në kohën shtesë që si rrjedhojë solli golin e Altiparmakovskit u ka mjaftuar kampionëve në fuqi për të rrëmbyer fitoren dhe tre pikët nga një duel që epilog real do të kishte ndarjen e pikëve. Shkëndija sërisht nuk solli lojë të bukur për sy, por gjithsesi me vendosje të mirë në pjesën e dytë çoi ndeshjen në kohën shtesë me rëzultatin e fillimit.

Mirëpo më së paku pritej, në skenë del arbitri Jakimovski që i bëhet krah Rabotniçkit në rrugën drejt fitores. Pjesa e parë foli vetëm për vendasit dhe me një Shkëndijë të dobët pa ide për të rrezikuar në sulm. Jovanovski me pritje të sigurta dhe fati sportiv kur tentimi i Markoskit ndalet në traversën e Shkëndijës dërguan skuadrat me rrjeta të paprekura në pushim.

Në vazhdim Shkëndija luajti më mirë dhe dukej më e sigurtë në vijën e fundit. Në anën tjetër Juffo tentoi fuqishëm, por ndalet nga Efremov. Trajneri Beqiri me disa zëvendësime tentoi të ngrejë nivelin e lojës, mirëpo situata u vështirësua kur Vukçeviç ndëshkohet me të kuq 12-të minuta para fundit. Pas pak lëndohet edhe Abdulla që qëndroi në fushë vetëm për numër dhe u zhvendos në sulm ku kishte më pak rrezik për të gabuar.

Edhe në kushte të këtilla dukej se ndeshja do të përfundojë me ndarje të pikëve, kur papritmas në skenë del arbitri Jakimovski që karakterizon me penalti një start të zakonshëm të Bejtullait ndaj Anenes edhe pse futbollisti i Shkëndijës arriti të largojë topin nga zona. Ilijoski godet nga pika e bardhë, në portë pret shkëlqyeshëm Jovanovski, ndërsa në vazhdim Altiparmakovski përcjell topin në rrejtë edhe pse ndoshta arbitrat duhej të reagojnë pasi sulmuesi vendas u fut në zonë para se Ilijoski të egzekutonte penaltinë. Kështu ndeshja mbyllet me fitore të Rabotniçkit dhe Shkëndija rastin për pikë të reja do ta kërkojë në ndeshjen e rradhës me Vardarin në Kumanovë.

Lajme të ngjashme

Back to top button