fbpx

PD proteston në Korçë, Basha: S’mund të blejnë më votat

Mitingu i radhës i demokratëve u ndal në sheshin qendror të Korçës, në një aktivitet mes protestës ndaj qeverisë dhe fushatës elektorale.

Kjo sepse sipas Lulzim Bashës, qeveria ka çuar vendin në rrënim ekonomik.

“Nuk shohim melankolinë romantike e serenatave tuaja të mrekullueshme, por dëshpërimin e papunësisë, të skamjes, të pamundësisë. Bashkia e drejtuar nga ky qyqari që mbeti nënkryetar, derisa ta largoni ju me votën tuaj më 21 Qershor, është kthyer në zyrë të ndarjes së privilegjeve dhe favoreve për një klan të ngushtë të peleshëshëve dhe kapuranëve. Babëzia e tyre shpërdoron 3 milionë Euro për zyrat bashkisë, 2.5 milionë Euro për kullën e korrupsionit që i marrin nga xhepat tuaj” – tha kreu i PD, Lulzim Basha.

Kriminalizimi i pushtetit ishte akuza e përsëritur edhe në Korçë nga Basha, kur qeverinë e sotme e quajti qeverinë e skandaleve.

“Ku janë sot? A kanë reflektuar pasi gjithë Europa u trondit nga inkriminimi kokë e këmbë që i bënë administratës dhe shtetit. A kanë reflektuar pasi mbarë qytetarët vendit u ngritën në këmbë në rrugë e në sheshe kundër krimit dhe sundimit të tij? Aspak! Vendosën të kandidojnë në Krujë një trafikant kokaine! Po sfidojnë çdokënd! Kjo është sfidë ndaj jush, ndaj qytetarëve, ndaj partnerëve, ndaj Europës, ndaj Amerikës, ndaj së ardhmes sonë. Mendojnë se mund të blejnë gjithçka me paratë e krimit dhe të korrupsionit. E kanë mirë apo e kanë keq? Gabim e kanë, apo jo?! Nuk e blejnë dot shpirtin e korçarëve, nuk e blejnë dot të kaluarën e trafikantëve që kanë në krahë, nuk i blejnë dot gjynahet që kanë bërë me këtë popull. Nuk kemi ndërmend ti lejojmë, Korça do t’i thotë jo! Shqipëria do t’i thotë jo”- shtoi Basha.

Duke kërkuar mbështetjen për Gjergji Meron në Korçë, Lulzim Basha tha se korçarët kanë dy mundësi.

“Të votojnë çirakun që vazhdojë të ndajë paratë e t’ia çojë shefit, që t’ia çojë shefit të madh, apo t’i thonë me votë, ndal! Nuk pranojmë më! Jo më kështu, ndal! Kjo ofertë bashkë me votën tuaj kundër rrënimit të jetës suaj të përditshme, do ta ndalë të keqen, do ta vendosë Korçën e Shqipërinë në punë, do të ndalë eksodin dramatik, do të kthejë besimin e të rinjve, do ta bëjë për Brunilda Mekën që la dy jetimë prej pashpirtësisë tsë xhelatëve të Edi Ramës dhe Erion Veliajt këtu në Korçë! Do ta bëjë për çdo korçare e çdo korçar dhe për të ardhmen tuaj” – tha Basha. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button