Farsa e 24-shit dhe zgjedhjet e parakohshme

Për lehtësim të madh të opinionit të përgjithshëm maqedonas, të hënën më në fund u nënshkrua raporti i Komisionit famoz për ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit të kaluar. Në pamje të parë është shmangur një katastrofë e madhe, ndërsa sipas VMRO-së Maqedonia me sakrificën e saj ka treguar kapacitet shtetëror dhe ka bërë një hap të madh përpara në rrugën drejt BE-së. Por vetë mënyra si u zhvillua puna e këtij komisioni, ngjarjet që rrodhën para dhe gjatë nënshkrimit, madje edhe vetë përmbajtja e raportit, më së miri dëshmojnë se i gjithë ky proces ka qenë një farsë e vërtetë. Edhepse duket sikur shteti shmangu mundësinë që ti shënohen pikë tjera negative në BE, assesi nuk mund të thuhet se tani jemi më afër integrimit ose kemi treguar ndonjë sens për të udhëhequr politikë shtetërore.

Çështja kryesore që u shtrua pas ngjarjeve të 24 dhjetorit ishte nëse Maqedonia vazhdon të jetë demokraci parlamentare. Në esencë demokracia parlamentare nënkupton mbizotërim të parlamentit mbi të gjitha institucionet tjera të shtetit. Atë ditë kur përfaqësues të zgjedhur të popullit u hoqën me dhunë nga kuvendi këtij koncepti iu dha goditja e parë vdekjeprurëse. Katastrofa mund të korigjohej vetëm po të njëjtën ditë, nëse deputetët e pushtetit do t’u dilnin në ndihmë kolegëve të tyre të opozitës, me çka do të tregonin se vërtetë parlamenti është mbi të gjithë. Përkundrazi ata u vunë në shërbim të institucioneve të tjera (qeverisë, partisë), ndërsa më vonë formimi i ad-hoc komisionit vetëmse vërtetoi se parlamenti nuk ka kapacitet t’i zgjedhë vetë problemet e tij dhe se këtë duhet t’ia bëjë dikush tjetër.

Komisioni u formua me anëtarë të propozuar nga dy parti politike, pa u konsultuar parlamenti ose të paktën liderët tjerë politikë (që në fakt as që kërkuan të pyeten). Pas bllokimit të punës këtij iu bashkangjitën edhe dy liderët e partive më të mëdha, Gruevski dhe Zaev. Eventualisht ata u treguan si persona kyç për zgjidhje të krizës, e madje edhe të formulimit të konkluzave të komisionit. Pra për interpretim të ngjarjeve në parlament më të rëndësishëm ishin këta dy persona që as nuk janë deputetë në atë parlament. Me këtë edhe de fakto u pa se këta dy janë më të rëndësishëm se të gjithë 123 përfaqësuesit e zgjedhur të popullit dhe të gjitha institucionet tjera shtetërore. Kuvendi pra nuk ka kapacitet të vendosë as për punën e tij, e ku më për fatin e shtetit. Aq sa i përket demokracisë parlamentare!

Sikur të mos mjaftonte kjo, partia në pushtet atëherë çpiku një modë të re të interpretimit të drejtësisë, me të cilën diçka mund të nënshkruhet por të mos vlejë për nënshkruesin. Përveç kësaj, po ky dokument i nënshkruar kësisoj duheshka të vlejë për Unionin Europian! Dhe e gjithë kjo na shitet si burrështetësi e madhe. E vërteta ndërkaq është se BE vërtetë mund formalisht të shënojë faktin e nënshkrimit të këtij “paloma” raporti, por askush nuk mund më të gënjehet se në Maqedoni vërtetë ka ndryshuar ndonjë gjë. Raporti i tetorit përsëri mund të jetë pozitiv dhe të përmbajë rekomandim për fillim të bisedimeve, por atëherë kur kjo qeveri si zakonisht do të lavdërohet me këtë arritje të madhe duhet t’ia përkujtojmë se ai do të jetë vetëm një “paloma” raport me “paloma” rekomandime, i dhënë për shkak të “paloma” komisionit.

E gjithë kjo situatë duket qesharake dhe infantile, por kjo varet vetëm nga cili kënd shikohet. Çdo gjë bëhet më e qartë dhe më racionale nëse pranojmë se gjithë kohën punohej për diçka tjetër, e këta janë zgjedhjet e parakohshme. Menjëherë pas zgjedhjeve lokale dhe fitores së madhe të pushtetit ishte e qartë se VMRO do t’i futej punës për zgjedhje të parakohshme për të mos i lënë shans LSDM-së të rimëkëmbej me udhëheqësinë e re. Këtë e parashihnin të gjithë analistët duke dhënë si datë të fundit marsin e vitit të ardhshëm kur do të duhet të mbahen edhe zgjedhjet presidenciale. I paqartë mbetej vetëm ngërçi politik që do t’i jepte shkas pushtetit të shpallë zgjedhje të tilla. E ky ngërç kërkohej te “fajtorët kujdestarë” siç janë marrëdhëniet ndëretnike, bllokadat nga ana e Greqisë, mospajtimet rreth çështjes së emrit e të tjera. Por këtë rradhë si duket VMRO-së iu dha rasti me bllokimin e punës së komisionit, pas së cilës ajo doli me ultimatum për zgjedhje të parakohshme.

Këto ditë mbizotëron mendimi se ultimatumi ishte vetëm blof për të detyruar LSDM-në të nënshkruajë raport sipas merakut të VMRO-së. Mirëpo një blof i këtillë është bast i madh për përfitim të vogël, sepse raporti edhe ashtu nuk kishte ndonjë domethënie të madhe për një parti që pa problemi mund të ushtrojë dhunë edhe mbi deputetë. Prandaj më tepër është e mundshme që VMRO vërtetë të kishte dashur zgjedhje me 13 tetor, por atëherë shtrohet pyetja se pse ajo u tërhoq nga një qëllim i tillë. Pse ishte ajo e gatshme të shkojë në zgjedhje të premten, por jo të dielën?

Kjo pyetje ka tre përgjigje të mundshme. Së pari, është e mundshme që bashkësia ndërkombëtare t’ia kishte bërë me dije Gruevskit se zgjedhje të tilla nuk janë të dëshirueshme. Por VMRO nuk njihet si parti që dëgjon shumë e shumë të huajt, ose që kujdeset për dëmtim të interesave të shtetit nga një padëgjueshmëri e tillë. Skenar të njëjtë kishte edhe në 2008 dhe 2011, por atëherë VMRO megjithatë shkoi në zgjedhje. Nëse “vmrovcit” janë bërë të dëgjueshëm tani, atëherë këtë rradhë kërcënimet kanë prekur direkt intereset e tyre partiake dhe personale, që për ta janë shumë më të rëndësishme se ato shtetërore.

Një varijant tjetër është VMRO të mos ketë patur numrat për të shpallur zgjedhje, gjegjësisht se atë e kanë refuzuar edhe BDI, edhe PDSH. Në vetvete kjo duket pak e mundshme, sepse BDI çdoherë është e dëgjueshme ndaj VMRO-së, ndërsa PDSH edhe më tej i mban të gjitha letrat hapur dhe kalkulon me mundësinë e ndonjë bashkëpunimi të ri me VMRO-në. Por gjithçka ndryshon nëse këtu kanë luajtur rol edhe të huajt. Nëse jo direkt VMRO-së, komuniteti ndërkombëtar mund t’i ketë dhënë porosi BDI-së dhe PDSH-së që të mos pranojnë zgjedhje.

Në skenarin e tretë është e mundshme që Gruevski vërtetë të jetë frikësuar nga kërcënimi ose blofi i LSDM-së se nuk do të dalë në zgjedhje të tilla. Sado që të thuhet se LSDM është parti jorelevante, mbetet fakti që VMRO nuk ka guxim të dalë në zgjedhje ku nuk merr pjesë partia më e madhe opozitare. Dëshmi e kësaj janë zgjedhjet lokale, kur VMRO me vetëiniciativë, pa ja kërkuar kush, zgjati afatin e kandidimit kur u pa se opozita vërtetë mund t’i bojkotojë ato. Ajo është e vetëdijshme se zgjedhjet e tilla do të ishin vetëm “paloma” zgjedhje dhe është e mundshme të jetë tërhequr përkohësisht, derisa të jetë e sigurtë nëse bëhet fjalë për blof ose kërcënim serioz të opozitës.

 Për fund duhet të thuhet se nëse VMRO vërtetë ka dashur zgjedhje, ashtu siç duket, atëherë ajo nuk do të ndalet me kaq. Nga ky këndvështrim kriza e komisionit mund të shihet vetëm si hyrje në të beteja, kriza dhe zgjedhje të reja. Si duket do të kemi vjeshtë, e pastaj edhe pranverë të nxehtë politike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mkTë drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes ndërmjet tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button