Plaka e urtë dhe e mirë

“Babo” Jella, e njohur edhe si Çedojca, ishte nga fytyrat më të dashura të mahallës sonë. E mprehtë po aq sa llafazane dhe e hareshme, ajo përvijohet në çdo remineshencë të fëmijërisë sonë.

Ishin familja e vetme krishtere në qark prej nuk e di sa metrash, komshi të parë me ne, na ndante vetëm një gardh i ulët. Në sezonat e ngrohta jeta rrjedhte jashtë dhe çdo gjë u ekspozohej shikimeve më shumë miqësore se sa kureshtare. Zgjohej herët dhe kur e hapja dritaren e dhomës për ajrosje të mëngjesit, ia dëgjoja zërin apo vetëm e vëreja si punon diçka në bahçe. Ngrente shikimin lart “a u çove, bija ime”?

Kishin çeshme para shtëpisë, shpesh rrotullohej atypari, ashtu edhe sot më fanitet në kujtesë. Ose me përparësen mbledhur shuk tek u hedh thërrime pulave që e rrethojnë me krokatje; e kërrusur me çekan te rrënjët e trendafilave; afër mjedrrave që rriteshin në formë kaçubash si mur natyral me komshiun Xhelo. Asgjë nuk u mbetej nga bereqeti se këtu mbledheshim fëmijët duke kërkuar fryte mes gjetheve të mëdha, më tepër gjethe se sa fryte, ama ai lezet…!

Babo Jella kishte tre djem, kurse prej nipave më i popullarizuar ishte më i madhi, Zoki. Në buzëmbrëmjet e Ramazanit kur mbledheshim në sokakun e ngushtë në pritje të kandilave të akshamit dhe mandej turrevrap shpërndaheshim nëpër shtëpi në sofrat e shtruara të iftarit, edhe Zoki vraponte në shtëpi duke bërtitur “jandiler” (u ndozën). Mandej kur dilnim në teravi që nënkuptonte luksin e lojërave e vrapimeve deri natën vonë, edhe Zoki me ne, i rregulltë në teravi.

Gjatë verës dita zgjatej me shoqërime: gratë shpesh ndaleshin afër gardhit me muhabetet e veta, fëmijët me potere nëpër bahçe pa bërë askend nervoz, kurse meshkujt disi nuk i kam në fokus, rrallë dukeshin dhe rrallë dëgjoheshin.

Kur ftohej koha, babo Jella shpesh na vinte për çaj rusi, ishin shoqe të ngushta me gjyshen e cila fliste dijalekt të kulluar tetovar mësuar nga komshitë në lagjen e vjetër të quajtur Balltepe që turqisht don të thotë Kodra e mjaltit. Pikërisht të tilla kanë qenë raportet atje, me ëmbëlsi kanë rrjedhur ditët, pa i kthyer dallimet në ndasi.

Më është vulosur në kujtesë edhe epizodi me dy shoqet plaka gjatë transmetimit të funeralit të Titos: ulur në kauçin përballë televizorit, shikojnë me pak fjalë dhe fshijnë lotët me mendilat tkurrur në dorë. Isha klasa e parë, më binin ndërmend fjalët e mësuesit dhe i shikoja me habi pse qajnë, a nuk e dijnë këto se Tito s’është si të tjerët!? Ai nuk vdes.

Kur u shpërngulëm në Shkup, ligji i gjyshes patjetërsonte fundjavat të kalohen në vendlindje, edhe pushimet, deri ditën e fundit. Posa i ngrenim perdet e trasha, baba Jella vraponte të na shohë, por edhe gjithë komshitë përreth gëzoheshin. Nëna ishte e njohur me qeshjen e saj të zëshme dhe me të ngjyronte marrëdhëniet me njerëzit dhe ajrin përreth.

Mes disa fotografive të pikëlluara në albumin famijar ndodhet edhe një foto si e mjegulluar, mëngjes i hershëm vjeshte, babo Jella para shtëpisë së saj me roletna të lëshuara, e përqafuar nga nëna ime. Të dyjat të përlotura, fqinjësi 50 vjeçare pa asnjë trazim.

Në banesën e re ajo krijoi shoqëri të re, dhe i vazhdonte tabijatet e vjetra: lexonte libra, thurrte xhemperë të butë dhe të lehtë – peshqesh i saj origjinal për foshnjat, radioja punonte pandalë. Dhe nuk e harronte mahallën e dikurshme, sebepet e mira dhe të liga, telefonatat dhe vizitat. Vazhdonte të jetojë me të gjithë ne.

Babo Jella vdiq në moshë të shtyer, qetë, thuaja me buzëqeshje në buzë.

Mu ashtu si jetonte.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button