fbpx

Lideri i rebelëve: Marrëveshja e Minskut mund të dështojë

Një lider i rebelëve në lindje të Ukrainës ka deklaruar se marrëveshja e paqes e arritur në Minsk do të dështojë në rast se Kievi nuk njeh pavarësinë e zonave të kontrolluara nga rebelët.

Aleksandar Zakharchenko tha për BBC se ai donte ta zgjeronte të vetëshpallurën Republika e Donetskut dhe se marrëveshja e ndërmjetësuar nga Perëndimi në Minsk nuk po implementohet nga qeveria.

“Ukraina nuk do që të zgjidhim të gjitha çështjet. Nëse duhet të zgjidhësh diçka, atëherë duhet të veprosh, të ecësh përpara dhe të zgjidhësh gjithçka që është e përfshirë në konflikt”, tha Zakharchenko.

Nëse kjo nuk ndodh, sipas tij, atëherë marrëveshja e Minskut mbetet e paplotësuar dhe e pakuptimtë. Lideri i rebelëve e akuzoi gjithashtu Kievin se po përgatitet për luftë, akuzë kjo e hedhur poshtë.

“Sipas informacioneve që kemi marrë, Kievi mund të shkaktojë së shpejti një konflikt tjetër, duke sulmuar Donetskun apo çdo qytet tjetër të Republikës Popullore të Donetskut”, tha Zakharchenko.

Në bazë të marrëveshjes së mbështetur nga liderët evropianë, qeveria ukrainase pretendon se zonat e kontrolluara nga rebelët në lindje do të mbeten pjesë e vendit. Por kreu i rebelëve insiston se ajo duhet të njihet ligjërisht si një territor i pavarur.

“Ukraina ka ndërprerë rrogat, pensionet dhe pagesa të tjera që një shtet është i detyruar t’u paguajë qytetarëve. Duke bërë këtë, de fakto na kanë njohur”, shtoi Zakharchenko./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button