Koordinim në Prishtinë rreth aktiviteteve për rivarrimin e Isa Boletinit

Në qershor të këtij do të bëhet rivarrimi i eshtrave mortore të heroit të kombit, Isa Boletini, dhe për këtë do të zhvillohen disa aktivitete përkujtimore dhe shkencore në qendrat kryesore shqiptare, si Prishtinë, Tiranë e Shkup. Për koordinimin e këtyre aktiviteteve është formuar një komision ndërshtetëror, të cilit i prinë ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli.

Andaj, një delegacion i kryesuar nga zëvendesministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Arben Labënishta dhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup (ITSHKSH), Skender Asani, sot në Prishtinë zhvilluan një takim pune me ministrin Demolli, ku mori pjesë edhe drejtori i Institutit të Historisë “Ali Hadri” nga Prishtina, Sabit Syla, si dhe përfaqësues të familjes Boletini. Qëllimi i takimit ishte që të koordinohen punët dhe aktivitetet që do të realizohen edhe në Shkup, në nderim të këtij kolosi të madh të historisë shqiptare.

Ministri i FSK-së, Haki Demolli, e mirëpriti delegacionin nga Maqedonia, dhe përshëndeti nismat dhe aktivitetet që po zhvillohen rreth manifestimit për rivarrosjen e Isa Boletinit.

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Arben Labënishta, deklaroi se figura e Isa Boletinit është gjithëpërfshirëse dhe mbarëkombëtare, dhe si e tillë e meriton të nderohet edhe në Shkup, ku me këtë rast do të organizohet një akademi përkujtimore.

Drejtori i ITSHKSH-së në Shkup, Skender Asani, dhe drejtori i Institutit të Historisë së Prishtinës, Sabit Syla, u koordinuan rreth organizimit të konferencës shkencore  kushtuar Isa Boletinit. Konferenca e cila organizohet nga tre institutet shkencore të Prishtinës, Tiranës e Shkupit, do t’i zhvillojë punimet në fillim të qershorit në Prishtinë, me pjesëmarrjen e studiuesve të njohur të historisë.

Ndërsa, përfaqësuesi i familjes së heroit të kombit Isa Boletini, Gazmend Boletini, falënderoi institucionet që udhëhiqen nga shqiptarët për kontributin që po japin për çështjen kombëtare, dhe sidomos për atdhetarët e paharruar të kombit, që si ideal të tyre e kishin që edhe Shkupi të frymonte shqip.

Lajme të ngjashme

Back to top button