“Cobra 11” në Shqipëri, xhirohen skena të pazakonta aksioni

Skena të pazakonta aksioni janë duke u xhiruar këto ditë në Tiranë, shpesh nën syrin kurioz të qytetarëve. Bëhet fjalë për telefilmin e suksesshëm gjerman ‘Cobra 11, Policia e autostradës’.

Çdo vit, para sezonit të ri të filmit, produksioni realizon një version kinematografik të tij. Pjesë e ngjarjeve të këtij versioni, të titulluar ‘Vendetta’, zhvillohen edhe në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Mes të tjerësh, takuam protagonistët e ‘Cobra’-s, Erdogan Atalay dhe Vinzenz Kiefer.

“Shkatërruam gjithçka në Dyzeldorf dhe Këln, e tani kemi ardhur për të shkatërruar Tiranën. Një pjesë të saj, aty ku kemi marrë leje. Unë luaj Saimirin, inspektorin e policisë në ‘Cobra 11’. Historia e filmit na solli në Shqipëri. Flet për Kanunin dhe gjakmarrjen, ndaj, duhet të rregullojmë disa gjëra”, tha Erdogan Atalay.

“Në Këln u shkatërrua gjithçka, nuk ka mbetur më gjë. Ndaj, erdhëm në Tiranë që të vazhdojmë. Është një histori familjare, me shumë elementë tradicionalë. Një familje në Gjermani dhe një familje në Shqipëri, të cilat bashkojnë forcat. Ne kemi ardhur këtu për të rregulluar situatën”, u shpreh Kiefer.

Versionit film artistik i është bashkuar edhe aktori Blerim Destani: “Kemi 3 javë që kemi nisur xhirimet në Gjermani, gjithçka po shkon mirë”.

Regjisori Niko Zavelberg tha: “Vizituam disa vende dhe ramë në dashuri me Shqipërinë. Drita këtu është shumë e bukur dhe gjithçka duket ndryshe nga Gjermania. Ka kontraste të bukura mes arkitekturës së vjetër dhe të re, peisazhet, malet në sfond… Të gjitha këto e bëjnë filmin shumë interesant. Pjesët e aksionit që realizuam këtu janë shumë ndryshe nga ato të Gjermanisë. Xhiruam mbi çatitë e 30 shtëpive dhe kjo gjë sjell një efekt tërësisht ndryshe”.

‘Cobra 11’ transmetohet që prej vitit 1996 në vende të ndryshme të Europës, mes të tjerash Gjermani, Austri, Itali, Francë, Spanjë, Belgjikë, Suedi, por edhe në Meksikë, Kinë e Indi.

Sipas produksionit, qeveria gjermane ka vënë në dispozicion vetëm për realizimin e telefilmit, një autostradë prej rreth 20 kilometrash për të realizuar skenat e aksioneve./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button