Bomba Pa Numër

Rrethanat e ditëve të sotme, japin shumë mundësi që çdo kush të lëviz lirshëm nëpër shtete tjera, të shëtisë, të studioj, të bëj biznes etj. pa ndonjë kosto të lartë financiare, psikike apo fizike. Ky zhvillim, pa diskutim është rezultat i shoqërive demokratike, të lira, shoqërive që çmojnë diversitetin si vlerë të tyre bazike. Absolutisht, në kundërshtim me këtë sistem ishte sistemi totalitar, të cilit i interesonte gjithçka në lidhje me jetën e individit. Ky sistem ishte interesuar të dije gjithçka që ka individi, madje edhe atë çka ka në zemrën dhe shpirtin tij, pra edhe besimin e tij.

Gati se çdo kush prej nesh ka anëtarë të familjes në shtetet e ndryshme të botës. Të gjithë na kanë treguar për malltretimet e natyrave të ndryshme që ata kanë përjetuar dhe përjetojnë gati se çdo herë gjatë hyrjes në Maqedoni, vetëm për një shkak: sepse nëna i lindi shqiptar. Këto janë bomba që shumëkush i ka përjetuar në lëkurën e vetë. Mendoj se, ne jemi përplot me bomba të kësaj natyre, sa që është vështirë t’u gjendet numri se sa janë realisht.

Madje, sot rrugës duke u kthyer nga Turqia për në Maqedoni, në orët e hershme të mëngjesit, isha dëshmitar i një ngjarjeje të tillë trishtuese, në vendkalimin kufitar  Maqedoni –Greqi. Një qytetar shqiptar nuk i tregoi policit numrin e saktë të valixheve që kishte me vete. Me pas polici maqedonas e kuptoi se personi kishte më shumë valixhe se sa kishte deklaruar dhe ju afrua më një vrazhdësi të paparë, shtazarake, njëjtë sikur ata maçokët që ngrenë qimet dhe bishtin përpjetë për t’u përgatitur për sulm. Ulëriste sikur të kishte  përballë një kriminel që ka vrarë  njerëz, iu drejtua dhe i tha: pse më rrejte, do të arrestoj!!! Përveç kësaj,  duke bërtitur  kërkoi ashpër që t’a shikojë në sy, kur ai fliste!!! E gjithë kjo ngjarje ndodhi në sy të mbi njëzet udhëtarëve që ndodheshin në autobus.

A nuk është kjo kosto psiqike ndaj një qytetari që kthehet në vendlindje, pas vizitës disa ditore që kishte realizuar në Turqi tek familjarët e tij. Po të njëjtët familjarë asaj kohe janë torturuar psiqikisht pse jo edhe fizikisht nga kjo mendësi dhe ky sistem, tash më me emër tjetër. PO, kjo vërtët është kosto e lartë psiqike dhe me potencial për t’u shndërruar edhe në kosto fizike dhe financiare.

Fjala arrest në këtë rast , mu duk aq e tepërt  dhe aq tragji-komike sa që më la të shtanguar. Edhe pse i shkreti shqiptar nuk kishte ndonjë produkt për doganim dhe thjeshtë ishin vetëm valixhe personale, megjithatë duhej t’i tregonte drejtë policit maqedon sepse përndryshe ha burgun ose dajakun! Turp… Është shumë e qartë se, do ishte prej mirësjelljes së tij të fliste haptas me policin, por kjo nuk do të thotë që t’i raportohet policisë kufitare për çdo çamçakëz dhe stilograf që posedojmë nëpër xhepa. Dhe aq më pak, të kërcënohet me arrestim individi, kushdo qoftë ai nëse se paska thënë të vërteten për brekët dhe çorapet e palara gjë gjenden në valixhen e tij.

Ndoshta është e vështirë të përshkruhet kjo ngjarje, por se trishtimin e saj më mirë e dinë vetëm ata të cilët  e kanë pasur në lëkurën e tyre. A ka me keq se të trajtohesh i huaj në shtëpinë tënde… Këtë ndjenjë më së miri e dinë ata që janë lindur e rritur në  një sistem totalitar, ku shtetit i intereson gjithçka, pra edhe brekët dhe çorapet e përlyera.

Fatkeqësisht apo fatmirësisht, shumëkujt kjo sjellje e policit mund t’i duket shumë normale. Por, jo për faktin se kjo kategori e njerëzve janë debilë dhe nuk ju bën përshtypje asgjë e keqe, por se janë ngopur madje që nga fëmijëria  e tyre e hershme me situata të tilla, sa që më gjithçka është bërë normale.

Mendoj se, një gjë e tillë po tentohet të instalohet edhe tek mosha më e re. Sikurse edhe duket, punohet në drejtim të ekspozimit të asaj së kush është pronari dhe kush është qiraxhiu. Punohet për frikësimin e shqiptarëve, për t’u ndjerë ata sa më të plogësht dhe të paguximshëm, duke u dhënë mesazh të qartë: Ju duhet të punoni diku jashtë shtetit,  të fitoni dhe t’i sillni parat këtu dhe menjëherë të ikni, sepse nuk ju duam për shkak se na merrni shtetin nga duart, po na bëheni konkurrentë në biznes dhe politikë, pse jo edhe në dallavere dhe maskarallëqe. Ju nuk guxoni të bëni tregti sepse ju jeni “shiptari”, “indianci” që na duheni vetëm për “votën”, madje jo vetëm të gjallët nga ju por edhe të vdekurit tuaj. Përndryshe nuk na hyni në punë gjë…

Kjo ngjarje për mua ishte një bombë pa numër, por shumë eksplozive dhe destruktive. Për një mendje të shëndoshë, një situatë  e tillë është tepër shqetësuse, nihiliste, ksenofobiste, racore pse jo edhe kundër çdo vlere njerëzore. Një ngjarje e tillë,  është vetëm pjesë e shoqërive totalitare dhe pushteteve antinjerëzore dhe asnjëherë nuk ka lidhje me shtetet demokratike dhe shoqëritë e civilizuara. Por ajo që mendoj se nuk duhet lejuar është pikërisht vazhdimi i kësaj mendësie primitive dhe tendenca e  “paisjes” së gjeneratave të reja me  frikë, mos-guxim dhe ndjenjën e të qenurit të huaj dhe të paaftë.

Personalisht, i takoj gjeneratës së shkatërrimit të mureve, rrëzimit të perdeve, zhvillimit të teknologjisë etj. dhe për mua kufizimet e tilla janë të panevojshme dhe destruktive. Më lini të jetojë i lirë, sepse linda së bashku me lirinë dhe se u rrita me diversitetin. Më lini të jetoj sepse po ma merrni frymën nga bombat që nuk mund t’i numëroj.

 

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Nuk i shef cisternat e derivateve, kamionet me duhan e kafe, alkoolin e mallra te shtrenjta te Gruevskit, Shimon qantat me dhurata te shqiptarit, per te gjitha fajtore jemi vete, jemi gjithemone argat i dreqit, nuk respektojm vehten, sa kohe do te lejojm qe te perbuzemi nga te tjeret.

  2. Dakort që shpreh keqardhjen për këtë sjellje të policit maqedonas ndaj këtij e shqiptarëve të tjerë. Por pse e krahason me kohën e e Enverit?!
    A nuk e di ti se në kohën e Enverit, vërtet ishin pak shqiptarët qē dilnin jashtë, por ama sa e merrnin vesh se ishin shqiptarë nuk i kontrollonin fare sepse dihet që në shqipëri nuk kishin vend krimet dhe kriminelët, nuk kishte as prostitucion as trafik droge dhe armatimi, ndërsa tani vërtet ka “lëvizje të lirë”, por u kontrollohen dhe brekët nga që e dinë se Shqipëria është burim i këtyre krimeve.
    Ti o zotëri i bie shkurt e nuk e gjen dot burimin dhe shkakun e kësaj sjellje të të huajve ndaj nesh. Dakort me keqardhjen që shpreh, por mundoju të mësosh arêsyen e kësaj sjellje që është shndërrimi i Shqipërisë në vënd droge, prostitucio e i çfarëdo lloj krimi dhe kjo është dhuratë e demokraturës shqiptare që ka qeverisur për 25 vjet.

Back to top button