Ivanov ia dorëzoi memorandumin për anëtarësim në BE, ambasadorit Orav

Presidenti Gjorge Ivanov sot priti shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian Avio Orav dhe me këtë rast ia dorëzoi Memorandumin e nënshkruar për realizimin e qëllimit strategjik për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

“Nuk ka çështje në shtet për të cilën mund të arrihet konsensus aq i gjerë politik dhe po aq mbështetje, përveç për idenë evropiane, që duhet të paraqesë sinjal të qartë për Bashkimin Evropian”, theksoi Ivanov.

Në takim u këmbyen mendime dhe informacione në lidhje me raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian për përparimin e Republikës së Maqedonisë. Presidenti Ivanov shfaqi pritje se Republika e Maqedonisë do të marrë edhe një raport pozitiv.

“Edhe krahas sfidave politike me të cilat jemi përballur, kemi arritur rezultate të mira në të gjitha sferat të cilat janë theksuar në raportin pranveror, në mënyrë të vazhdueshme jemi përkushtuar në proceset e reformave në zona kyçe, në promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët tanë, në bashkëpunim rajonal dhe në mënyrë konstruktive marrim pjesë në përpjekjet për tejkalimin e çështjes për emrin”, theksoi Ivanov në bisedën me Orav.

Presidenti i Maqedonisë shfaqi pritje se Këshilli Evropian do ta mundësojë hapin e ardhshëm në integrimin e Republikës së Maqedonisë dhe do t’i ndajë datë për fillim të negociatave inkuadruese për anëtarësimin në BE.

“Është koha që Republika e Maqedonisë ta vazhdojë integrimin, është koha që Republikës së Maqedonisë t’i mundësohet lëvizje paralele. Gjendja e status-kuo-së askujt nuk i sjell asgjë të mirë. Nuk ka impuls më të madh dhe më të fuqishëm për reformat dhe tejkalimin e dobësive, nga fillimi i negociatave”, porositi në takim presidenti Ivanov. 

Lajme të ngjashme

Back to top button