Bregu

Vala e qetë më puthi lehtazi buzët, më përkëdheli ballin dhe më lart flokët. Nga qafa mbrapa, tek shpatullat…dhe më la. Çava me duart e mija ujin, me lëvizje histerike, u ktheva mbrapa për ta kërkuar. Sikur të ishte shkrirë në detin ëmë. Sa u pikëllova.

Aty për aty diçka më pickoi aq lehtazi bishtin e syrit, nga i cili pickim mu injektua qetësia, e pikëllimi u grimcua. Duke mos i pushtuar asnjë çikë valët tjera të vogla që nuk i ngjanin valës së zhdukur, e duke qëndruar si gjethë peme mbi ta, ngrita shikimin për të zbuluar ç’ishte vallë ajo? U ballafaqova me një rreze aq të ndritshme dielli. Po se si mu atë çast, aq shpejt, e sulmoi pamëshirshëm një re e vogël dhe përnjëherë gjithçka u vrenjt. U vrenjta dhe unë.

U shtriva në shpinë, mbi ujë. Nga inati. Prap, pa asnjë lëvizje agresive. Injorova renë që ma vodhi rrezen. Ha…mbi mua kishte një kaltërsi të shfrenuar e që nuk përfillte atë renë injorante që lashë mbrapa.

Më miklonte qerpikët ajo kaltërsi e panjollosur. Me lëvizje të lehta e të paprera po mbaja trupin mbi ujin e butë dhe po sodisja e sodisja për një copë kohe kaltërsinë që kishte vendosur të më shoqëronte atë pjesë të mbetur të ditës.

Ashtu nga askund filloi të më mbulonte një hije e paftuar, vinte nga këmbët, si pëlhurë. Ngrita kokën e me një sarkazëm më përshëndeti një re e madhe, hijerëndë.

  • Po aman, se ç’tu desh të kaloje këndej? Pse?

Duke u ndjerë e tepërt në mesin e atyre fenomeneve natyrore vendosa të dilja nga uji.

Me disa lëvizje dëshpëruese, e më të prera tani arrita te bregu. Ngrita shikimin dhe dhjetë metra larg bregut, shkallëve të lokalit që gjendej lart plazhit, e pashë të zbriste. Nga mesi i shkallëve u ndal. Ngriti kokën, vendosi dorën mbi vetulla, si strehë, edhe pse diellin e kishin strukur dikund ato retë injorante.

Shikonte kah unë. Qeshi. Unë, jo. Por që harrova valën, rrezen dhe kaltërsinë, e pranoj.

Arlinda Zymeri – Shkup

Lajme të ngjashme

Back to top button