Kosovë, Gjykata Kushtetuese i hap rrugë krijimit të Gjykatës Speciale

Gjykata Kushtetuese e Kosovës i hap rrugën krijimit të Gjykatës Speciale duke vendosur se ndryshimet kushtetutese të propozuara nga qeveria nuk pakësojnë të drejtat kushtetuese dhe liritë e njeriut dhe janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

I mbetet Parlamentit që në njërën nga seancat e radhës t’i votojë ndryshimet që teknikisht nënkuptojnë shtimin e një neni të ri, neni 162, pavarësisht dispozitave të tjera të kësaj Kushtetute.

Neni i ri përmban themelimin e dhomave të specializuara, krjimin e zyrës së prokurorit të specializuar, krijimin e një dhome të specializuar të Gjykatës Kushtetuese të përbërë nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë dhe emërimin e një Avokati të Popullit. Për Gjykatën Kushtetuese këto janë elemente të reja strukturore në sistemin e drejtësisë që bëhen me ligj dhe me qëllim të luftimit të krimeve specifike.

Në vendimin e saj, Kushtetuesja ka dhënë mendim për secilin nga këto elemente. Sa iu përket dhomave të specializuara, gjykata del në përfundimin se ato do të themelohen në kuadër të pushtetit unik dhe të pavarur që ushtrohet në gjykatat në bazë të Kushtetutës. Struktura, fushëveprimi i juridiksionit dhe funksionimi i dhomave të specializuara do të rregullohen me ligje të tjera, në pajtim me Kushtetutën, thuhet në vendim.

I njëjtë është konkludimi edhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar, por theksohet fakti se fushëveprimi i juridiksionit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të jetë për të njëjtat krime specifike sikurse për dhomat e specializuara. Vendimi thotë se Zyra e Prokurorit te Specializuar do të themelohet në kuadër të sistemit ekzistues prokurorial të Republikës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të ligjshëm edhe themelimin e një dhome të specializuar brenda vetë Gjykatës Kushtetuese duke theksuar se kjo dhomë, nëpërmjet ankesave individuale kushtetuese, do të ushtrojë juridiksion mbikqyrës mbi dhomat e specializuara në kuadër të gjykatave të rregullta dhe mbi Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Në vendimin e gjykatës theksohet se fushëveprimi i juridiksionit i gjykatës speciale do të jetë specifik me mandat 5-vjeçar, përveç nëse njoftimi i përfundimit të mandatit bëhet më herët ose edhe më vonë./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button