fbpx

Kuba jo më “terroriste”, festë për qytetarët në Havana

Nuk kishte si ndodhte ndryshe. Kuba e përshëndeti me të madhe vendimin e Shteteve të Bashkuara për heqjen e saj nga lista e shteteve financuese të terrorizmit, hapi më i fundit drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy ish-armiqve të mëdhenj.

Për vendin komunist, një lëvizje e tillë ishte “e drejtë dhe e ndershme”. Në rrugët e Havanës, mendimi i përgjithshëm është se ky hap largon nga rruga pengesën kryesore drejt rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike pas më shumë se gjysmë shekulli hasmëri.

“Kishte ardhur koha, që Obama ta kuptonte se Kuba nuk është ashtu siç thonë. Është koha që marrëdhëniet mes dy vendeve të vendosen sërish”, tha Sara Pino, banore e Havanës.

“Mendoj se Presidenti Obama është nisur me një qëllim të mirë, por për çdo rast Kuba nuk duhet të ishte fare në atë listë. Kuba nuk sponsorizon terrorizmin, përkundrazi ka ndihmuar shumë vende të tjera”, tha Arael Aguirre, banor i Havanës.

“Është shumë pozitive. Është një zhvillim shumë i mirë për vendin, sepse premton që nga ky moment, gjërat të jenë më mirë edhe për të gjithë ne”, tha Sayury Salazar, banore e Havanës.

Uashingtoni e kishte vendosur Kubën në këtë listë në 1982-shin, me argumentin se Fidel Castro stërviste dhe armatoste rebelët komunistë në Amerikën Latine dhe Afrikë.

Megjithatë, rreshtimi i saj përkrah emrash të tjerë problematike është vënë seriozisht në pikëpyetje këto vitet e fundit. Kongresi amerikan ka 45 ditë në dispozicion për ta shqyrtuar lëvizjen e Obamës, përpara se ajo të hyjë në fuqi dhe, pavarësisht disa kundërshtive, siç ishte ajo e senatorit republikan Marco Rubio, gjasat janë të vogla që ligjvënësit ta bllokojnë këtë vendim. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button