Teuta Arifi dy vjet në krye të Tetovës

Kryetarja e Komunës së Tetovës e Teuta Arifi sot shënon dy vjetorin e marrjes së detyrës për të udhëhequr me këtë Komunë.

Me këtë rast, ajo mbajti një fjalim rasti, të cilin ua përcjellim në tërësi.

Dëshiroj të nis fjalën time me një citat të Gerard Barzan. Suksesi është aftësia e ngritjes mbi parimet. Dhe pikërisht parimet janë temeli ku ne e bazojmë punën tonë . Kjo sigurisht që është mision i vështirë në një institucion që me dekada trajtohet si mall i trashëguar personal i shoqëruar nga një proces i mangët i decentralizimit të pushtetit lokal. Por ne besojmë se qytetarët nuk ekzistojnë për ti shërbyer pushtetit  po është e kundërta prandaj punën tonë e bazojmë në parimet e transparencës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies . Më shumë se gjysma e problemeve me të cilat ballafaqohet sot Tetova janë pikërisht rezultat i mungesës së transparencës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Betonimi i egër i qytetit, mungesa e ujit të pijshëm, mungesa e parqeve dhe parkingjeve të gjitha këto janë rezultat i lakmisë së grupeve të caktuara brenda dhe jashta komunës për pasurim të lehtë dhe tregëti me interesat e qytetarëve. Dy vitet e fundit  lidhjet, njoftësia, pushteti që del nga çajtoret e mahallës dhe veçanërisht korrupsioni dhe ryshfeti kanë pushuar  së qeni  praktikë e zakontë e të “kryerit punë në komunë”. Ne  kemi qenë në  shërbimin tuaj për të kryer punët nga kompetencat tona dhe për tju plotësuar kërkesat tuaja të cilat janë në përputhje me ligjin  mirëpo çdo kërkesë që nuk ka qenë në përputhje me rregullat komunale dhe aktet ligjore është refuzuar. E njejta do të vlejë edhe në të ardhmen pavarësisht shumës së ryshfetit që dikush don  ta jep ose pozitës së zyrtarit të komunës që dëshiron  ta korruptojë, kërkesa e paligjshme do të refuzohet, puna nuk do të kryhet dhe nevoja nuk do të plotësohet.

Korrupsioni ka ngrënë  pronat publike, projektin e ujësjellësit ,shumë rrugë, shkolla, ,parqe dhe prona publike ndërsa sot në mungesë të kësaj dukurie  3,1 km gjatësi të tubacionit nga stacioni grumbullues Leshnicë deri te stacioni grumbullues Studena Reka ka përfunduar . Ka ngelur të përfundojë edhe afër 5 km nga gjatësia e tubacionit për tu rritur kapaciteti i sistemit furnizues për 200 litra në sekondë me çka do të përfundojë edhe golgota dekadëshe e Tetovës për ujë të pijshëm . Poashtu  kemi përgaditur projekt dhe jemi duke aplikuar për fonde për ndërtimin e stacionit të filtrimit sepse nuk është e mjaftueshme qytetarët vetëm të kenë rregullisht sasi të bollshme të ujit, ai ujë poashtu duhet të jetë i pijshëm.

Këto dy vite me gjithë borxhet e trashëguara dhe aktet për përmbarim që arrijnë në adresën e komunës jemi përpjekur ta përmirësojmë infrakstrukturën rrugore, ta pastrojmë, gjelbrojmë dhe mirëmbajmë qytetin, të investojmë në zhvillimin arsimor dhe kulturor sepse ne për dallim nga mjerisht botëkuptimi i një numri të konsiderueshëm të personave që pretendojnë për poste publike e shohim zhvillimin, rruajtjen dhe mbrojtjen e Tetovës si angazhim shumëdimensional e jo biznes fitimprurësi dhënies së pakontrolluar të lejeve për ndërtim, uzurpim të hapësirave publike, lidhjes së kontratave për shërbime fiktive  dhe shpërdorim të institucionit komunë për përfitime personale apo grupore. Dhe ne e kuptojmë që  kjo mënyrë e punës shumëkujt ia prish hesapin e “biznesit” dhe e motivon për tu marrë me metoda idiote për anti propagandë  por kjo gjë nuk na ka brengosur aspak sepse kemi qenë të zënë me punë për të rindërtuar sheshin Iliria, për të asfaltuar rrugët në fshatin Sellcë,Shipkovicë, Brodec, Van Vardarska, rrugën Kala-Sellcë,Tetovë-Brodec , rrugën Vëllezërit Milladinovi, rrugën e spitalit, rrugën e Xhamisë së Pashës  etj.

Qyteti ynë pastrohet rregullisht ndërsa NPK ”Tetova“ Tetovë e realizoi fazën e parë të projektit me KFW Bankën me atë që u  instaluan 9 pajisje për matje dhe rregullim të ujit që  mundëson matje të  rrjedhës së ujit të pijshëm si dhe mënjanim në kohë të defekteve, që kanë si pasojë humbjen e sasisë të mëdha të ujit dhe ndërrimin e ndërprerësve të ujit në më shumë se 100 puseta të rrjetit të ujësjellësit të qytetit vendosjen e  5800 ujëmatës prej të cilave 1560 janë ujëmatës digjital.

Të vendosur në qëllimin tone që të mos e shpenzojmë energjinë për të bërë biznes me komunën  dhe njëkohësisht të mos lejojmë as palët e interesuara të merren me biznesin e njejtë ne u angazhuam të rinovojmë klasat, shkollat dhe çerdhet . Themeluam gjimnazin “7 Marsi”  dhe vendosëm politika të regjistrimit në shkolla të mesme që drejtpërdrejtë ndikojnë në ngritjen e cilësisë së arsimimit të mesëm dhe profilizimin adekuat të nxënësve .Nga ky vit gjimnazi i Tetovës nuk është më shkolla me numër më të madh të nxënësve në Evropë. Me aplikimin e politikës regjistruese për shkollat e mesme arritëm të krijojmë paralele me nga 35 nxënës të shkëlqyeshëm, të risim cilësinë e procesit edukativo arsimor dhe të krijojmë ambient ku nxënësit do të jenë të motivuar ti zhvillojnë talentet e tyre, ti zgjërojnë horizontet e dijes dhe të konkurojnë me dijet e tyre brenda dhe jashta këtij shteti. Kjo politikë u aplikua në të gjitha shkollat e mesme dhe u dëshmua e suksesshme sepse ndikoi edhe në rritjen e  e numrit të nxënësve në shkollat e mesme profesionale të cilat janë shumë të rëndësishme për  tregun e punës .

Këtë vit do të jemi të zënë duke filluar përfundimisht zbatimin e projektit për  bulevardin Blagoja Toska, rregullimin e rrugës 172 , rrugën industriale prej te rrethrrotullimi në Vero deri te unaza afër kompanisë Ecolog , duke funksionalizuar ndërmarrjen e themeluar për transport publik dhe  ndërmarrjen  publike –Parkingu i qytetit që do të menaxhojë me hapësirat për parkingje në Tetovë . Këto dy projekte kanë për qëllim të ndikojnë në reduktimin e trafikut të stërngarkuar dhe të nxisin qytetarët të përdorin mjete alternative për transport sepse numri zyrtar i automjeteve të regjistruara në Tetovë është 480000 numër ky i cili është diametralisht i kundërt me madhësinë e qytetit  dhe kapacitetin e rrjetit të infrastrukturës rrugore . Këtë vit do të vazhdojmë me përpjekjet për profesionalizimin e punës së administratës , dhënien e shërbimeve efikase për qytetarët, zhvillimin ekonomik, kulturor dhe arsimor si dhe përfundimin e projekteve të filluara më herët.

Komuna e Tetovës ka probleme të mëdha të grumbulluara me dekada të tëra, probleme këto që kanë shëmtuar fizionominë e qytetit dhe konceptin mendor për qytetin. Ne nuk pretendojmë se i kemi zgjedhur të gjitha problemet e Tetovës për ty vite por me plot bindje themi që nuk kontribuojmë në shtimin e problemeve, punojmë me tërë kapacitetin njerëzor, intelektual dhe financiar në zgjedhjen e tyre dhe krijojmë një kulturë të punës së ndershme të institucionit për të mirën e qytetarëve. Në pamundësi kohore për të hyrë në detajet e punëve të kryera dhe projekteve të realizuara gjatë këtyre dy viteve nga sektorët e komunës si  dhe për t’ju dhënë mundësi të mësoni për to përmes pyetjeve tuaja në këtë debat këtu e përfundoj fjalën time.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. E ke dit se me aa borxh e merr komunen, por perseri premtove se do ti realizojsh projektwt e tuaja! Arsyetimi i Juaj , aspak nuk eshte real! Ju, premtuat se e keni pushtetin qendror dhe se paret do vijn sikur keni qejf Ju….

Back to top button