Tetëdhjetë kontejnerë të ri shpërndahen në Gostivar

Në pjesën qendrore të Gostivarit, në afërsi të banesat kolektive, do të vendosen 80 kontejnerë të rinj, ndërsa paraprakisht janë larguar kontejnerët e vjetër dhe të dëmtuar.

Për të bërë promovimin e kontejnerëve të rinj, në terren dolën edhe vetë kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike “Komunalec”, Memedali Xhaferi.

“Në bashkëpunim me ndërmarrjen publike, realizojmë projektin për furnizimin me kontejnerë të rinj në Gostivar, me qëllim që qyteti ynë të behët akoma më i pastër. Me angazhimin e të punësuarve në ndërmarrjen publike dhe me vendosjen e kontejnerëve të rinj, besoj se ambienti në qytetin tonë do të jetë edhe më i pastër. Kemi plan që zbrazja e kontejnerëve të bëhet në kohën kur frekuentimi është më i vogël që të mos e pengojmë komunikacionin dhe të mos i trazojmë mbeturinat që përhapin aromë të keqe dhe të dëmshme për shëndetin kur frekuentimi është më i madh. Në këtë fazë kontejnerët na kanë kushtuar mbi 28 mijë euro dhe janë financuar nga NP “Komunalec” ndërsa në të ardhmen do të sjellim edhe kontejnerë tjerë të rinj”, deklaroi kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.

“Për këtë fazë bëhet fjalë për 80 kontejnerë dhe do të përqendrohen në fazën qendrore të qytetit dhe në banesat kolektive. Në të ardhmen për këtë vit kemi paraparë që të furnizohemi edhe me kontejnerë tjerë prej 1.1 m3, kështu që do të arrijmë që t’ju ofrojmë kushte qytetarëve që t’i hedhin mbeturinat në kontejnerë dhe që mos e dëmtojmë pastërtinë e qytetit”, theksoi drejtori i NP “Komunalec”, Memedali Xhaferi.

Kryetari i komunës ës Gostivarit, Nevzat Bejta apeloi deri te qytetarët dhe tregtarët që mbeturinat të mos i hedhin në rrugë, por t’i çojnë deri te kontejnerët më të afërt, me qëllim që edhe ata të kontribuojnë dhe kujdesen për mirëmbajtjen e pastërtisë publike por dhe të shëndetit të qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button