Basha: Rama- Meta kandidojnë kriminelë, larg duart nga votat

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, akuzoi dy aleatët qeverisës se po kandidojnë persona me precedentë penalë në zgjedhjet e 21 qershorit.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat Basha tha se dekriminalizimi është moment vendimtar, se kush e ka bindje si PD dhe kush e ka shtirje si Rama- Meta.

Ai ngriti pikëpyetje nëse është e lirë elita politike e vendit dhe nëse janë të lirë kundërshtarët politikë në qeveri të votojnë paketën e dekriminalizimit.

Në vijim Basha ngriti pikëpyetje gjithashtu nëse është i lirë Edi Rama t’ju japë duart personave me rekorde kriminale dhe të mos ju japë mbrojtje kur vihen përballë prokurorisë dhe policisë.

“Për ne Edi Rama dhe Ilir Meta janë bashkautorë të kriminalizimit. Kriminalizimi i ngritur në sistem është e vetmja vepër e tyre, vepër e ngritur në sistem. Akuza për porositjen e vrasjeve nga Meta dhe fshehja nga Rama e Tahiri, po dalin në pah në Gjykatën e Lartë. Zhvillimet e këtyre ditëve kanë rëndësi për njohjen e së vërtetës nga qytetarët. Zgjedhja e kandidatëve dhe këshilltarëve po nxjerr në pah se kush nuk ka lidhje me krimin, Partia Demokratike, dhe kush shkel dekriminalizmin dyshja Rama- Meta për të treguar se nga një vesh i kanë hyrë dhe nga tjetra i kanë dalë akuzat për narkotrafikantët dhe korrupsionin. Rama ka caktuar në Krujën e Skënderbeut Artur Bushin, i arrestuar në vitin 2010 si trafikant droge drejt Hollandës”, u shpreh Basha, duke e cilësuar si aktin e zhubrosjes prej tij të marrëveshjes për dekriminalizimin.

Ai tha se Rama as nuk skuqet dhe as nuk nxihet të promovojë narkotrafikantë, se ka vënë në lëvizje makineritë e shpifjeve, për të rehabilituar krimet e rënda.

Sipas kreut të PD shkolla e trafiqeve është e preferuara e Ramës nga ku ka ardhur Artur Bushi i Krujës dhe Elvis Roshi i Kavajës si dhe dhjetëra të tjerë.

Basha deklaroi se “Bushët dhe Roshët” janë vetë Rama dhe kupola e vërtetë e Partisë Socialiste.

Në këtë linjë ai shtoi se promovimi i personave me rekorde kriminale është fyerje e madhe për qytetarët por mbi të gjitha për PS, për zgjedhësit e majtë që nuk meritojnë të përfaqësohen me trafikantë droge, me vrasës, me njerëz të prishur në palcën e qytetarisë.

Kryedemokrati u shpreh gjithashtu se në rrugën pa krye ku kanë hyrë nuk duhet të llogarisin blerjen e votave, që sipas tij e kanë zbatuar në zgjedhjet e 2013 dhe e kanë konsoliduar në zgjedhjet e pjesshme në Korçë.

“Nuk kanë projekt, nuk kanë ofertë, nuk kanë alternativë, kanë vetëm para droge, korrupsioni dhe trafiqesh. Dua ti paralajmëroj sot në emër të PD dhe të qytetarëve, ju keni rënë në qafë sa s’mban më qytetarëve, i keni gënjyer sa ju ka dashur qejfi. I keni poshtëruar me ujditë tuaja të ndyra me krimin, jeni në borxh të mëdha ndaj qytetarëve, por mos t’iu shkojë mendja t’iu prekni votën, të pasurisë më të madhe të popullit sovram. Mos tentoni të vidhni vota, pasi ju pret fundi më i keq”, tha në vijim Basha.

Ai deklaroi se ora e qytetarëve po afron, ora e gjykimit me votë po afron dhe se Shqipëria është e qytetarëve dhe do mbetet e tyre. /NOA/

Lajme të ngjashme

Back to top button