Shqiptarët, sera me hashash brenda në shtëpitë që merrnin me qera në Uells

Gjashtë shqiptarë dhe dy britanikë, një juriste dhe një financiere, pjesëtarë të një grupi kriminal që merrej me kultivimin e kanabisit në Uells, janë dënuar me burg nga dy deri në dhjetë vjet.

Vlera e kanabisit të kapur shkon në mbi 3 milionë sterlina, ndërkohë me tre kultivime në vit detektivët besojnë se vlera në rrugë e drogës shkon në afro 10 milionë sterlina në vit.

Shqiptarët e kultivonin drogën nëpër shtëpi të marra me qira në mbarë Uellsin, nga një juriste dhe partneri i saj financiar që punonte në Londër. Çifti nga Uellsi kishte rreth 50 prona dhe në 16 nga shtëpitë e identifikuara nga policia si fabrika ku prodhohej kanabisi, 13 ishin prona të tyre.

Në kuadër të operacionit ‘Pristina’, policia e Uellsit kapi rreth një mijë rrënjë kanabisi nëpër këto fabrika, ku trafikantët shqiptarë kishin krijuar njësi të sofistikuara për prodhimin e drogës, pa u diktuar nga fqinjët. “Disa nga shtëpitë ku prodhohej droga u identifikuan vetëm pasi morën zjarr, duke vënë në rrezik jetët e fqinjëve, për shkak të mbingarkesave të sistemit elektrik”, tha prokurori i çështjes, Hju Evans. Gjatë operacionit janë gjetur nga policia edhe dy armë zjarri, një silenciator dhe 200 fishekë, ndërkohë në një banesë ishin kapur dhjetë mijë paundë para të thata.

Dy shqiptarë pranuan fajësinë për armëmbajtjen. Në procesin gjyqësor në Gjykatën e Kurrores në Kardif, juristja 43­ vjeçar, Eleri Cosslett, e pranoi se i kishin dhënë pronat me qira, ndërkohë që ajo edhe partneri i saj, prej 14 vjetësh financier në City of London, u dënuan me tre vjet dhe pesë vjet burg respektivisht. Juristja kishte filluar edhe një aferë dashurie me një nga shqiptarët, pasi luftonte me alkoolin dhe kishte humbur shuma të mëdha. Ndërkohë, gjykatësi ja përgjysmoi dënimin për shkak se ajo kishte një vajzë.

Disa nga shqiptarët ishin deportuar më parë nga Britania, por ishin rikthyer me maune. Ndërkaq, të dënuarit pritet të deportohen pas mbarimit të dënimit. Kryedetektivi Dorian Lloyd tha se “arrestimi dhe dënimi i këtij grupi kriminal demostron se Polica e Uellsit do të vazhdojë të ndjekë ata që trafikojnë drogë në komunitetet tona”. Trafikimi dhe prodhimi i drogës është shndërruar në biznesin më fitimprurës të grupeve kriminale shqiptare në Britani gjatë dy viteve të fundit ku fitimet janë marramendëse, nisur nga sasia e drogës dhe parave të kapura.

Lajme të ngjashme

Back to top button