Sistemi po lejon rebelimin e rinisë

Rinia në Tetovë gjithnjë e më shumë, viteve të fundit, është e prirë të përdorë armë për të qëruar hesapet mes veti. Qasje e lehtë deri te armët, neglizhenca e policisë, familjes dhe shoqërisë në përgjithësi, ka bërë që rinia “për pak e për shumë” të shkrepë armën. Incidenti i fundit në Tetovë ku u përdorën armë dhe si pasojë ngelën të plagosur 11 persona, ndërkaq një humbi jetën, nxori në pah se institucionet shumë pak kanë bërë për të parandaluar këtë dukuri devijuese, shkruan KOHA.

Profesori universitar, Qebir Avziu, përndryshe ekspert i kriminalistikës, thotë se edhe statistikat tregojnë se ka rritje të dhunës në mesin e rinisë, me vetë faktin se në këto akte përdoren armë zjarri dhe armë të ftohta. “Që të mund të kemi sukses në parandalimin e kësaj dukurie, mendoj se duhet që të aplikohet metoda ‘ndalo-kontrollo’.

Kjo metodë i jep kompetenca më shumë policisë që të bëjë kontrolle edhe ndaj individëve, për të cilët ekzistojnë dyshime se mbajnë armë me vete. Sipas dispozitave ligjore në fuqi, në Maqedoni policia ka të drejtë vetëm të bëjë kontrolle vizuale, ndërsa për kontroll të detajuar – duhet leje adekuate nga gjykata.

Me këtë u jepet hapësirë qytetarëve që të lëvizin me armë pa frikë dhe këtë, pjesa dërmuese e dinë, prandaj edhe i shfrytëzojnë raste”, thotë Qebir Avziu ekspert i kriminalistikës. Ai në këtë drejtim merr shembullin e Anglisë dhe Irlandës, ku thotë se pas vendosjes së kësaj metode, në këto dy vende është shënuar ulje në kriminalitetin rrugor.

Lajme të ngjashme

Back to top button