Sa i kanë ndihmuar klerikët islam çështjes kombëtare në afirmimin e saj?

Në historinë tonë kombëtare ekzistojnë shumë prej figurave fetare që dhanë kontributin e rrallë, por që historianët e studiuesit shpesh janë të prirur t’i mohojnë, me pretendimin e ruajtjes së imazhit kombëtarë laik. Klerikët islam ditën të rreshtoheshin e të pozicionoheshin si duhet nëpër kohë e ngjarje historike.
Klerik islam kishte si në frontin e rezistencës shqiptare ashtu edhe midis përkrahësve të Qeverisë së Tiranës si dhe të organizatave të Ballit Kombëtarë e të Legalitetit. Qëndrimi politik nuk varej nga feja, por nga mendësitë, traditat lokale, nga gjendja shoqërore, nga fisi, ideologjia etj.

Në të gjitha ngjarjet me karakter historik dhe politik, prania e prijësve fetare ishte e pashmangshme në ruajtjen dhe kultivimin e traditës dhe identitetit, prandaj ata kanë dhënë një kontribut të veçantë për ekzistencën e kombit shqiptarë. Duke numëruar disa prej tyre si: Hoxha Tahsini, Ymer Prizreni, Hafiz Ali Korça, Mulla Idriz Gjilani, Hafiz Ibrahim Dalliu, që punuan bashkërisht për çështjen madhore shqiptare.

Ne po përmendim vëtëm disa nga këta personalitete myslimanë të periudhës 1870-1945, çdokush që dëshiron t’i njohë me hollësisht mund të hulumtojë rreth këtyre figurave ose të ndërmarrë ndonjë studim për ndonjërin prej tyre që të njihet ashtu si vërtet e meriton të njihet.
Fillojmë me veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881): Ahmed Efendi Korenica, Ismail Efendi Yvjesi, Myderriz Hasan Efendi Shllaku, Myderiz Daut Efendi Boriçi, Hafiz Salih Hylja, Hafiz Tamizi, Myderriz Haxhi Zeka, Myderriz Ymer Efendi, Myderriz Osman Efendiu, Myderriz Ali Efendiu, Mulla Hasani, Hoxhë Moglica, Iljaz pashë Dibra, Ymer Prizreni, Haxhi Shabani etj.

Me vetë faktin që flitet shumë për Lidhjen e Prizrenit (10 qershor 1878), pasi është veprimtaria e parë mbarëkombëtare e shqiptarëve të mbledhur rreth një qëllimi të përbashkët, ruajtjes së tërësisë territoriale të banuar nga shqiptarë nën Perandorinë Osmane. Ashtu si shumë autorë të huaj theksojnë se: „Një lëvizje kombëtare shqiptare nuk u shfaq deri më 1878 dhe, edhe atëherë ajo erdhi kryesisht si reaksion ndaj kërcnimeve të jashtme. Krerët shqiptarë e ndjenjë rrezikun në rritje ndaj pozicionit të tyre kur u shpallën kushtet e Traktatit të Shën Stefanit me 3 mars 1878. Territoret kombëtare iu qenë caktuar kështu vendeve sllave ortodokse, asnjëri nga të cilët nuk pritej të sillej butësisht me ta.
Ajo që i detyroi shqiptarët të vepronin ishte rreziku nga fqinjët e tyre dhe jo nga qeveria osmane“, dhe kështu aktivistët e Lidhjes nxituan që ta realizonin këtë kongres mbarëkombëtarë para së të mblidhej Kongresi i Berlinit, në të cilin do të merreshin vendime kundra Perandorisë Osmane veçanërisht ndaj territoreve të saj në Ballkan, kështu që atdhetarët shqiptarë më së shumti muslimanë bënë këtë lëvizje që të mbronin trojet shqiptare nga rreziku që i kanosej.

Sa për vendin ku është mbajtur Lidhja, na jepet një ndërtesë e vogël dykatëshe që për çudi si ka shkuar kujt ndërmend deri më sot, sesi dhe se ku i ka mbajtur kjo ndërtesë mbi 300 burra (150 prej të cilëve përmenden me emër), që u mblodhën në Kuvendin e Përgjithshëm më 1 korrik 1878, askush nuk mund të japë përgjigje. Sipas historisë së Shqipërisë: „Kuvendi i zhvilloi punimet në një nga sallat e medresesë së ndërtuar në shek. XVII nga Mehmet Pasha. Kjo ndërtesë ndodhet pranë xhamisë. Pra, xhamia na jepet thjeshtë si orientuese, si duket është fshirë nga memoria e kombit Xhamia e Bajraklisë ose e Mehmet Pashës, në të cilën është mbajtur realisht Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit, pasi logjikisht duket e pamundur që një objekt i shek. XVII të ketë një sallë aq të madhe sa të mund të mblidhet një Kuvend i madh, ndërsa dimë që struktura e Xhamisë e mundëson këtë gjë. Por ishte e pamundur për komunistët, që një Kongres kaq i madh dhe me një rëndësi të veçantë për shqiptarët të ishte mbajtur në Xhami apo në Medrese në të cilën mësohet feja Islame. Prandaj më mirë për ta ishte fshehja e argumenteve-fakteve sesa pranimi i kësaj gjëje.

Madje studiuesja e nacionalizmit shqiptarë Nathalie Cleyer thekson se: „nënshkruesit ishin gjithë muslimanë“. Kërkesat e tyre do të ishin: të konsolidohej gjuha shqipe me qëllim që të sigurohej ekzistenca e tyre kombëtare, të bashkoheshin të gjithë territoret shqiptare nën një adiministratë të përbashkët, do të thotë në një vilajet (autonomia), të kryheshin reformat e nevojshme.
Pra, nga kjo konkludojmë se nga personalitetet fetare islame, jo vetëm që ka pasur shkrimtarë dhe njohës të gjuhës kombëtare, por ka pasur edhe punëtorë të pavdekshëm, misionarë të palodhshëm të kauzës kombëtare. Të gjithë këta krijues dhe personalitete fetare islame, që u morën me veprimtari letrare, pasuruan kulturën kombëtare, e cila paraqet pasqyrën më të kthjellët për të parë shpirtin dhe karakterin e një populli në periudha të caktuara historike. Nuk ka dyshim se këto aktivitete kulturore kombëtare dhe krijuese, ndikuan dhe i hapën rrugën lindjes dhe zhvillimit të periodikut shqiptarë në përgjithësi, dhe atij islam shqiptarë në veçanti.

Duke pas parasysh këtë kontributë të jashtëzakonshëm të klerikëve islam në çështjen kombëtare, ka edhe të atillë hoxhallarë që kanë patur impakt negativ në çështjen kombëtare, kjo është e pranishme më shumë në periudhën pas luftës së Dytë Botërore, që disa hoxhallarë kanë punuar kundër interesit kombëtarë duke qenë spiunë, misionarë të ndryshëm të UDB-së dhe shërbimeve të ndryshme sekrete. Por, e veçanta e gjithë kësaj është se ato kanë qenë të paktë dhe kanë shërbyer në ndonjë fshat të vogël dhe natyrisht pasi janë zbuluar nga popullata e atij vendi ato ose janë vetëvrarë ose janë internuar jashtë atdheut. Dëmi i tyre natyrisht që ka qenë shumë i madh por duke pas parasysh faktin që kanë qënë të paktë në numër, ndoshta edhe kjo është shkaku se nuk gjenden informata të qarta dhe të sakta në lidhje me to, ose nuk ka fare, pasi që nga popullata nuk janë përfillur edhe aq, janë përbuzur e nënçmuar madje edhe janë akuzuar si UDB-ashë, tradhtarë e kështu më rradhë, dhe për këtë mesiguri nuk e kanë pa të aryeshme të përfshihen edhe ato në historinë tonë kombëtare.

Deri më tani historia e Shqipërisë nuk është paraqitur në mënyrë të drejtë, me objektivitet, fillimisht kanë ndodhur devijime, shpifje e trillime me vetëdije gjatë viteve 1945-1990, por mosparaqitja e fakteve dhe moskundërshtimi i këtyre trillimeve do ta përbaltnin historinë dhe në këto dy dekadat e fundit, ku ndryshimet e bëra janë aq të papërfilshme sa s’mund të konsiderohen të mjaftueshme.  veçanta e kësaj periudhe është se vlerësime të reja e të ndryshme me atë të Historisë Zyrtare na vijnë nga studiues të ndryshëm veçanërisht të huaj, por dhe shqiptarë.

Lajme të ngjashme

Back to top button