Ndahet nga jeta nobelisti gjerman Grass

Shkrimtari gjerman Gunter Grass, fitues i Çmimit Nobel në Letërsi dhe autor i të famshmit “The Tin Drum”, ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare. Botuesi i tij tha se personaliteti i shquar i botës së letrave u shua në një klinikë të qytetit Lubeck.

I lindur në atë që dikur ishte Danzigu (sot Gdansk në Poloni), Grass shërbeu në ushtrinë gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Romani i fuqishëm antinazist “The Tin Drum” do të publikohej në 1959-n, i fokusuar ashtu si shumica e veprave të tij tek epoka naziste, tmerret e luftës, shkatërrimi dhe ndienja e fajit, që mbeti pas me mposhtjen e Gjermanisë.

Gjermanët u tronditën thellësisht, kur në librin me kujtime publikuar në 2006-n, Grass rrëfente sesi në moshën e adoleshencës kishte dalë vullnetar për t’u bashkuar me trupat gjermane e kishte shërbyer edhe në njësinë Waffen-SS.

Pas konfliktit, shkrimtari kaloi disa muaj në një kamp robërish lufte në Amerikë. Libri i tij i parë me poezi u botua në 1956-n dhe Çmimi Nobel iu dha 43 vjet më vonë për portretizimin e bërë “fytyrës së harruar të historisë”.

Në lavdërimin e “The Tin Drum”, Komiteti i Nobelit sqaroi se ai libër ishte një lloj fillimi i ri për letërsinë gjermane, pas dekadash të tëra shkatërrimi gjuhësor dhe moral. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button