“Boshatiset” Orikumi, banorët marsh drejt Gjermanisë për azil

Kanë braktisur qytezën e Orikumit dhe fshatrat përreth për të shkuar për një jetë më të mirë në Gjermani… Përgjigja e ambasadorit Hellmut Hoffman se vendi i tij nuk jep azil ekonomik, nuk i ka trembur.

Dhjetëra të rinj të papunë në vendin e tyre, por edhe familjarë me fëmijët e vegjël kanë ndërmarrë rrugën e vështirë të emigrimit, me shpresën se do të mund të sistemohen në Gjermani duke përfituar nga azili ekonomik.

Mjafton të hedhësh vështrimin në qendrën e Orikumit e fshatrat përreth tij si Dukati e Tragjasi për të faktuar shumë lehtë “boshatisjen” nga banorët.

Shumë prej të “arratisurve” nga vendi i tyre ja kanë dalë të sistemohen në kampet e refugjatëve. Fatlumë të tjerë janë transferuar në banesa me më pak njerëz dhe veç kësaj përfitojnë një pagesë prej 400 eurosh në muaj (në disa raste edhe më shumë) për shpenzimet e ndenjjes atje.

Në komunikimet me të afërmit e mbetur në fshatrat e Vlorës, emigrantët rrëfejnë se janë në pritje të intervistave të punës, me shpresën se më tej do të mund të pajisen me dokumentet përkatëse për të nisur jetesën në Gjermani.

Banorët tregojnë për Shqiptarja.com se shumë të njohur të tyre dhe bashkëfshatarë janë larguar me gjithë familjet në drejtim të Gjermanisë pa biletë kthimi. Sipas rrëfimit të tyre, shumë fëmijë kanë lënë shkollat, dhe nga sa kanë biseduar me emigrantët atje, fëmijët janë në pritje për tu sistemuar në shkollat e qyteteve të Gjermanisë.

Një i ri nga fshati i Tragjasit që aktualisht ndodhet në një shtëpi me disa shqiptarë të tjerë, tregoi për Shqiptarja.com se numri i emigrantëve që ndodhen në kampe dhe banesa të paguara nga autoritetet gjermane është shumë i lartë, aq sa nuk ka vende për t’iu nënshtruar kurseve të mësimit të gjuhës që rezervohen për emigrantët. Ai thotë se asnjë nga njohurit me të cilët ai është nisur nga Shqipëria nuk kanë nisur ende punë, edhe pse ndodhen atje prej 3 muajsh.

Pas mëse njëzet e pesë vjetësh, emigrimi masiv duket se nuk është mbyllur dhe është rikthyer sërish si një problem në vendin tonë.

Shqiptarët e Kosovës, por edhe të zonave veriore në vendin tonë janë ata që kanë braktisur më së shumti vendin e tyre drejt Gjermanisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian për të përfituar azil ekonomik./Shqiptarja

Lajme të ngjashme

Back to top button