Komisioni votoi propozimin e BDI-së, Selim Ademi për anëtar të KGJR

Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, votoi sot  dy kandidatë për anëtarë të këshillit gjyqësor republikan, Selim Ademin dhe Lidija Kamaçkoviqin. Propozimi i parë u kundërshtua nga PDSH-ja opozitare, sipas së cilës me emërimin e Selim Ademit për anëtar të këshillit gjyqësor republikan vazhdon partizimi  i gjyqësorit. Fazliu madje propozoi kandidat tjetër për anëtarë të KGJR-së. Por kjo u kundërshtua nga Xhevat Ademi i BDI-së i cili numëroi afinitetet profesionale të Selim Ademit dhe kundërshtoi propozimin e Fazliut. 

“Tërë kohën flasim për gjyqësi të pavarur, mirëpo fatkeqësisht politika apo kjo shumicë parlamentare nuk lejon që në Maqedoni të kemi gjyqësi të pavarur. Këshilli gjyqësor në RM, nëse duam që vërtet të kemi gjyqësi të pavarur atëherë përbërja e këtij këshilli duhet të zgjidhet me konsensus nga të gjitha partitë politike në vend. Në vij të kësaj unë kam një propozim që anëtarë për KGJR të propozohet Elvir Iseni avokat nga Tetova”, deklaroi Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

“Me gjithë respektin për të drejtën e propozimit, kandidati i sapo-propozuar nga zoti Bekim Fazliu ka vetëm një atribut, është djali i Beqir Isenit  ish kryetarit të Këshillit gjyqësor Republikan, në kohën kur në Këshillin gjyqësor Republikan janë marrë vendimet më skandaloze. Pajtohem me zotin Fazliu se raportimet, vlerësimet dhe sugjerimet për zhvillimet në fushën e gjyqësisë nuk janë të atij niveli që ne do kishim dashur, por ama dua ta them publikisht propozimi i tij është shumë më poshtë, shumë më ulët, shumë më larg,  se sa kualitetet, se sa vlera dhe profesionalizmi që ka Selim Ademi”, deklaroi  Xhevat Ademi, deputet i BDI-së.

Megjithatë anëtarët e Komisionit votuan për propozimin e parë gjegjësisht Selim Ademi.  Ndërkohë që edhe propozimi që Lidija Kamaçkoviq të zgjidhet për anëtare e KGJR së shkaktoi polemike mes Safet Bishevacit dhe Ilija Dimovskit. 

Lajme të ngjashme

Back to top button