A ka pasur stema shqiptare në koleksionet e para të stemave të Evropës Perëndimore?

Lexo pjesën paraprake: Ndikimi heraldik i Evropës Perëndimorenë Shqipëri dhe dukja e stemave shqiptare 

Në qoftë se në Gadishullin Ballkanik koleksionet e para të stemave janë dukur kah fundi i shekullit XVI, në Evropën Perëndimore koleksione të tilla ka pasur prej shekullit XIV. Mirëpo, koleksione stemash nga Evropa Perëndimore ku hasen edhe stema të popujve ballkanikë ose të familjeve, ka prej vitit 1414. Këto koleksione stemash që kanë rëndësi evropiane, janë të rralla, sepse janë ruajtur vetëm disa copë, e prandaj edhe në bibliotekat më të mëdha të Evropës gjenden shumë rrallë.

Koleksioni më i vjetër i stemave ku gjenden stema të popujve ballkanikë, është punuar prej Ulrich Richentalit. Richentali ka lënë dorëshkrim një përshkrim të hollësishëm të kuvendit të njohur kishtar në Konstancë 1415-1418 të ilustruar me shumë vizatime dhe me disa qindra stema të pjesëmarrësve të kuvendit. Shumë stema janë të sakta, por kur flet për vendet e largëta të Evropës, Azisë e Afrikës, madje edhe për ato vende të krishtera që nuk kishin përfaqësues në kuvend, për sundimtarët e atyre vendeve jep stema fantastike.[1] Ky koleksion u përgatit përfundimisht rreth vitit 1420 dhe në të gjenden stemat e të gjitha vendeve ose të sundimtarëve që kishin përfaqësues në kuvend, e pastaj janë dhënë edhe stemat e atyre vendeve të krishtera që nuk kishin përfaqësues në kuvend. Koleksioni i Richentalit u botua dy herë në Aufsburg në vitin 1483 dhe 1536. Ekzistojnë katër dorëshkrime origjinale prej të cilave më i vjetri është ai që ruhet në arkivin e kontëve Konigsegg në Virtemberg. Për shkak të rëndësisë së tij, në vitin 1881 u botua fotokopja e tij prej Dr. H. Sevinit, 40 copë. Prej këtyre 40 copësh vetëm biblioteka nacionale e Parisit ka 5, kështu që edhe fotokopjet janë raritete.[2] Krejt teksti i këtij koleksioni u botua prej M. R. Viskut në Bibliothek des litterarischen Vereins in Stutgart, CLVIII, Tubigen 1882. Dorëshkrimi i tretë (i Vjenës) dhe i katërti (i Wolfenbutelit) janë të gjysmës së dytë të shekullit XV dhe janë kopjime të shkurtra të dorëshkrimit të Vritembergut.[3] Në koleksionin e stemave të Richentalit gjenden variante të ndryshme të stemave familjare, provinciale, kroate, dalmatinase, bosanase e serbe. Stema shqiptare nuk ka.

Koleksion i dytë stemash, shumë i rëndësishëm, në të cilin gjenden stema të popujve jugosllavë, është ai i vitit 1483, punuar prej Conrad Grunenbergut. Në vitin 1875 është ribotuar si fotokopje me titull: Des Conrad Grunenberg Ritters und Burgers zu Coltenz Vappenbuch, Verlag von C. A. Starke Gorlitz 1875, në dy vëllime:

Biblioteka nacionale e Parisit i ka të dy vëllimet,[4] dhe atje i kam shfrytëzuar. Në këtë koleksion gjenden stema bizantine, serbe, bosanase, kroate, dy stema turke e dy bullgare, por nuk gjendet stema shqiptare.

Në vitin 1544 doli prej shtypit Cosmographia në zë prej Sebastian Munsterit botuar në Bazel. Munsteri ka shfrytëzuar mirë të dy koleksionet e stemave të mëparshme. Kosmografia e Munsterit është ribotuar shpesh si libër i kërkuar fort. Munsteri kreu punë të bëshme shkencore e publicistike për shkak se punën e tij e punoi në bazë të studimeve të gjera shkencore e të burimeve të shumta gojore e të shkruara. Kosmografia e Munsterit është vepër tipike e shekullit XVI. Ajo është e mbushur me stema të shumta: territoriale, shtetërore, provinciale, familjare, qytetesh etj. Nga ana e kishës katolike Kosmografia e Munsterit u vu shpejt në indeksin e librave të ndaluar.[5]Në këtë Kosmografi gjenden vetëm stemat e Serbisë, Bosnjës, Bizantit dhe të Turqisë.

As në koleksionin e Virgilie Sobis, Wappenbuchlen Maler und Burger zu Nurnberg etc. 1555 nuk gjendet stema shqiptare, por ka stema të popujve të tjerë ballkanikë. Në faqen 26 të këtij koleksioni gjenden stemat e Dalmacisë, Kroacisë e Sllovenisë. Interesant është të përmendet se në fq. 29 është dhënë stema e Armenisë që ka pasur si amblem luanin, e në fq. 36, është stema e Vllahisë që po ashtu e kish amblem të luanit. Edhe ky koleksion është ribotuar shpesh, e pikërisht në Mynhen në vitin 1883 dhe në vitin 1886. Edhe pse i ribotuar disa herë, ai është përsëri raritet. Sa është i rrallë shihet edhe prej faktit se Biblioteka nacionale e Parisit nuk e ka asnjë ekzemplar. Unë e kam shfrytëzuar ekzemplarin që ka Biblioteka qendrore e Budapestit, që është regjistruar përbri nr. 302721.

Koleksioni i pestë i shtypur i stemave, shumë i çmuar e i kërkuar, është ai prej J. Siebmacherit, Grosses und allgemeines Wapenbuch. Ky koleksion që qe shtypur në vitin 1605, ka qenë shumë herë i ribotuar edhe pse është shumë i madh dhe ka 85 vëllime. Për herë të fundit është botuar në Nyrnberg në vitin 1894. Në këtë koleksion stemash, që herë pas here plotësohej, ka stema shqiptare (për të cilat do të bëhet fjalë) si edhe stema të popujve të tjerë ballkanikë.

(VAZHDON)

Aleksandër MATKOVSKI

Autoriteti i padiskutueshëm i historiografisë maqedonase dhe ballkanike, autori i monografisë së famshme “Dervish Cara”, akademik Aleksandar Matkovski, që flet për kryengritjen më të madhe të shqiptarëve kundër Perandorisë turke në fillim të shekullit njëzet, shkroi një libër për stemat shqiptare, të titulluar STEMAT SHQIPTARE NË TË KALUARËN. Vepra u botua si separat i revistës shkencore Gjurmime albanologjike 2, 1969, në Prishtinë. Ky hulumtim është interesant jo vetëm pse është i pari i këtij lloji (dhe edhe pas botimit të saj nuk kemi të dhëna të jetë marrë kush në historiografinë shqiptare me stemat), por edhe për stilin dhe seriozitetin shkencor me të cilin autori i qaset historisë shqiptare. Portali ynë do ta botojë veprën në disa vazhdime dhe besojmë se kështu do ta zgjojmë kureshtjen e lexuesve e veçanërisht të studiuesve edhe për punën e historianit të madh Aleksandar Matkovski, por edhe për lëndën e cila trajtohet në këtë vepër.


[1] Solovjev, Prinosi za bosanku i iliriku heraldiku i rodoslovlje bosanskih i sprskih kraljeva. 95.

[2] Në bibliotheque national në Paris këto pesë cope që I shftrytëzova janë me signaturat: dep. Des. Mas. Facs. 326. Res. B. 1201 ; Res. B. 483 ; Res. B. 1091 ; 8 Z 211 (158).

[3] Solovjev, prinosi, 96.

[4]  Në bibliotekën nacionale në Paris është me signaturën Res. G. 659 (1-2)

[5] Nikola Radojçiq, O stitu na srpskom grbu. Glasnik istoriskog drustva u Novom Sadu. Fl. I, 1, III, Sremski Karlovci 1930, 101-104

Lajme të ngjashme

Back to top button