Ligj i ri në parlament të vjetër

Pasi këto ditë opinioni pati fatin të mësojë edhe prapaskenat e sjelljes së ligjit për përdorim të gjuhës shqipe dhe se nga kush dhe si ishte i njëjti i përgatitur për votim të mëtejshëm në kuvend tani doli edhe iniciativa për sjelljen e një ligji të ri. Për të kuptuar krejt kontekstin e kësaj do ishte mirë të përkujtohemi në atë që dëgjuam me veshët tonë se si ligji për gjuhën shqipe dhe për përdorimin e flamurit ishin në fakt dy lëshime që atëherë në vitin 2011 ishin bërë nga BDI-ja në favor të DPMNE-së vetëm për tu sjell interpretimi autentik që edhe rastet e ashtuquajtura të Hagës të përfshihen në ligjin e mëhershëm për amnisti. Edhe këto dy ligje pra njëjtë bëjnë pjesë në ato që ishin përgatitur për votim nga ana e dy palë “indianëve”, ata kryesorë që sipas shprehjeve shovene të ministreshës së MPB-së dhe kryetarit të kuvendit ishin deputetët shqiptarë dhe “indianëve tanë” që ishin vet deputetët e tyre. Fraza “rrumbullak dhe në skaj” dhe “diçka që nuk ka asnjë domethënie” kishte të bëjë edhe me këto ligje si pjesë e pakos të negociuar nga dy kryetarët e partive që atëherë formuan shumicën parlamentare dhe sipas asaj që dëgjuam në incizimet e shpalosura nga opozita në kuadër të “bombave” ishin përgatitur nga vet ministresha Jankullovska.

Ligji për përdorim të flamurit të bashkësive mandej rra në Gjykatën Kushtetuese, interpretimi autentik kaloi në Kuvend kurse mbeti ligji për përdorim të gjuhës shqipe dhe në disa vite qytetarët dhe institucionet patën rastin të kuptojnë edhe praktikisht se ai ligj ishte rrumbullak dhe në skaj dhe se nuk kishte asnjë domethënie.

Tani kur në praktikë shihet se është e nevojshme propozohet sjellja e një ligji por nga i njëjti subjekt politik i cili kishte bë këtë lëshim dhe kompromis që atëherë në sjelljen e parë në vitin 2011: BDI. Që atëherë ka ndryshim në përbërjen e Kuvendit dhe në atë grup parlamentar, por fatkeqësia është se sjellja e këtij ligji përveç se nga e njëjta BDI promovohet nga i njëjta figurë të cilën opinioni e mban mend për një deklaratë bombastike shumë vite më parë, Rafis Aliti i cili pati deklaruar se shqiptarët do hyjnë në Evropë me ose pa maqedonasit?!

Andaj ky propozim i tanishëm i ka këto dy handikapë të pakapërcyeshme ia kujton opinionit se në fakt këto dy parti janë ato të njëjtat që patën bërë atë version të pakuptimtë të parë të këtij ligji dhe në emër të tyre tani flet njeriu që deshi apo nuk deshi ia përkujton qytetarëve rrugën evropiane që në ndërkohë u bë qorrsokak. Ashtu pyetjet që do parashtroheshin tani do ishin në stilin: çka ka të re në këtë shumicë dhe qeveri të vjetër dhe si ende nuk hymë në Evropë, as me e as pa maqedonasit?!

Ashtu kjo do mbetet ashiqare vetëm një lojë politike me përmendje të ligjit të ri në një qeveri dhe kuvend të vjetër  në një kohë dhe moment kur qeveria dhe shumica parlamentarë është duke lënguar nga legjitimitetit dhe legaliteti pas krejt asaj që mësuan qytetarët prej asaj se si janë zhvilluar zgjedhjet e deri në sistemin gjyqësor.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button