Rozana Radi paralajmëron rikthimin

Rozana Radi, pas fitores në spektaklin e kërcimit “Dance with me” dhe pauzës në muzikë, po mendon një rikthim të fuqishëm. Dhe lajmëtari i këtij rikthimi duket se është ky set fotografik, që këngëtarja ka realizuar së fundmi për të reklamuar make up-in dhe thonjtë. Në një intervistë për “Panorama Plus”, Rozana ka treguar projektet e afërta dhe detajet e setit të fundit me foto artistike, ku ajo duket mahnitëse.

Rikthimi ka nisur me këto foto, të cilat janë realizuar me mjeshtëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Rozanës; Frida, make up artistja, dhe fotografi Junxhin Kurti: “… Menduam që të bëjmë dhe një set fotografik për të paralajmëruar rikthimin tim në muzikë.”

Ka preferuar të jetë pak e tërhequr për një kohë të shkurtër nga tregu muzikor, edhe pse me angazhime të tjera artistike: “Mendoj se çdo artist ka nevojë për pak pushim. Nuk iu largova ekranit, pushova pak në aspektin e këngëve, sepse me “Dance with me” isha pranë publikut, por sigurisht që tekstet kanë zënë një pjesë të mirë të kohës sime.”

Më tej, e pyetur se si do ndihej nëse do ta sakrifikonte karrierën për një marrëdhënie të qëndrueshme, së bashku me një martesë të lumtur dhe disa fëmijë, Rozana thotë se do jetë e aftë t’i bëjë të dyja paralel: “Kjo është aftësi e femrave, të bëjnë shumë gjëra në të njëjtën kohë.”

Sa për kohën në të cilën do të ndodhë kjo, pra kur Rozi të ndërtojë familje, ajo tregon me sportivitetin që e karakterizon: “Të mendosh dhe të realizosh janë dy gjëra krejt të ndryshme. Nuk kam në dorë një telekomandë që të bëj gjërat si dua dhe kur dua, çdo gjë vjen natyrshëm në jetë.”

Një femër është e aftë t’i bëjë të gjitha, sipas Rozit, por nëse do t’i duhej të zgjidhte në jetë, “roli i nënës është shumë më i rëndësishëm se një karrierë e suksesshme. Mendoj se një femër e realizuar në karrierë ka nevojë të plotësohet edhe si nënë. Sigurisht që roli i nënës është kryesori, ndaj dhe një nënë e realizuar do më pëlqente më shumë.”

Thashethemet e përhapura së fundi, se Rozana ka një fëmijë sekret, duket se nuk e kanë tronditur shumë këngëtaren, e cila tregon se në një pozicion të tillë, kushdo do ta merrte parasysh riskun: “Kur pranon të jesh person publik, duhet të paguash edhe riskun. Thashethemet nuk ndalen asnjëherë, mendoj se është bërë një tjetër thashethem në kuadër të klikimeve online.”

Projektet sapo kanë filluar, brenda vitit priten të tjera; një këngë dhe një klip i ri, një rol në teatër dhe shumë tekste. Megjithatë, nëse do t’i kërkohej ta vlerësonte me një notë karrierën saj në gjithë këto vite, Rozana nuk di ta vendosë: “E ku ngopet njeriu me shifra për karrierën e vet? Ku ka shifër që mund të them për veten?”/ RevistaClass

Lajme të ngjashme

Back to top button