The Guardian: Shkupi, kryeqytet i ri i kiçit në Evropë

Maqedonia sërish është bërë temë e mediave kryesore evropiane. Gazeta prestigjioze britanike “The Guardian” në shkrimin e saj të fundit për Shkupin theks të veçantë i ka vënë ndryshimit drastik të planit urbanistik të kryeqytetit duke e cilësuar atë si “Kryeqytet të ri të kiçit në Evropë”.

Gazeta britanike gjithashtu nuk ka lënë pa përmendur edhe anashkalimin e historisë shqiptare dhe besimit mysliman në vend në gjithë këtë projekt.

“Nëse shëtisni përgjatë rrjedhës së lumit Vardar, drejt qendrës së Shkupit, kryeqytetit të Maqedonisë, shumë shpejt do të gjeni veten në mesin e shumë ndërtesave neo-klasike që shkëlqejnë, me plot zbukurime dhe figura të nimfave nëpër kulmet e tyre. Këto ndërtesa para 5 viteve nuk ndodheshin atje”, shkruan “The Guardian”

Kjo pamje e re neo-klasike sipas “The Guardian” cilësohet si përçarëse dhe e shtrenjtë, kurse për shijen as që bëhet fjalë. Por, një gjë është e sigurt sipas kësaj gazete, projekti në fjalë ka bërë kryeqytetin e Maqedonisë spektakël të çuditshëm dhe impresiv.

“Projekti kishte dy qëllime: Të sjellë më shumë turistë  dhe të përpiqet të marrë fragmente nga historia e Greqisë fqinje, duke ngacmuar kështu patriotizmin maqedonas. Ky projekt ka kushtuar 200 deri 500 milion euro, varësisht se me kë bisedoni”, shkruhet më tej në artikullin e prestigjiozes britanike, e cila vë në pah edhe dyshimet e qytetarëve për shpenzimet e mëdha  të parave publike dhe cilësinë estetike të projektit”, shkruan “The Guardian”.

Gazeta prestigjioze britanike “The Guardian” shkrimin e saj për Shkupin e përmbyllë me konstatimin se opinionet mund të jenë të ndryshme, por një gjë është e sigurt se projekti “Shkupi 2014” e ka bërë këtë qytetin një nga kryeqytetet më “jo-ortodoks” të Evropës që mund të vizitohet.

Lajme të ngjashme

Back to top button