Reagim i 60 redaktorëve dhe gazetarëve të RTK-së ndaj drejtori të tyre

Lexuam me kujdes letrën e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së dërguar Reporterëve pa Kufij. Këtë letër e konsiderojmë si përpjekje për ta arsyetuar vendimin e tij hakmarrës për largimin nga puna të kolegëve kryesindikalistë, Fadil Hoxha dhe Arsim Halili. Me këtë letër, drejtori i përgjithshëm, pa asnjë argument, inkriminoi shumicën prej nesh, duke akuzuar stafin editorial dhe gazetarët që protestuan kundër censurës dhe propagandës, se janë të manipuluar politikisht.

 Përmbajtja e letrës së z. Shala, pos që është denigruese përmban edhe shumë të pavërteta.

Me këtë letër, të nënshkruar nga 60 redaktorë dhe gazetarë të Radios dhe Televizionit të Kosovës, ofrojmë fakte për ndërhyrjet, cenzurën dhe keqmenaxhimin në RTK. Shumica e të poshtënënshkruarve kanë raportuar tek drejtori i përgjithshëm dhe drejtorët e njësive për ndërhyrjet jo profesionale nga ana e eprorëve tanë të instaluar. Andaj, është e pamoralshme që drejtori i përgjithshëm i RTK-së ta pasqyrojë gjendjen në transmetuesin publik si normale ndonëse, në baza gati ditore, ka ndërhyrje që cenojnë lirinë e shprehjes e që bëhen edhe me dijeninë e tij.

 Në vijim, prezantojmë vetëm disa nga shembujt e censurës dhe propagandës si në Televizion ashtu edhe në Radio e për të cilat kemi fakte dhe argumente të dokumentuara:

 – Ndërhyrja e redaktorit përgjegjës të TV-së për heqjen e lajmit për regimin e kryeministrit lidhur me zgjedhjen e drejtorit të ri të PTK-së, me arsyetimin se kryeministri paska shkelur ligjin. (20.02.2015)

 – Heqja e deklaratës së këshilltares komunale të Skënderajt në ceremoninë e inauguarimit të kryetarit të ri të komunës, vetëm pse kishte mendim ndryshe. (03.01.2014)

 –  Prezantimi në lajmet qendrore i rezultateve të një sondazhi i cili favorizonte një subjekt politik. Sondazh pa emër, pa mostër, pa adresë dhe e tërë kjo në prag të zgjedhjeve, diçka që ndalohet me standardet profesionale të RTK-së. (17.04.2014)

  – Drejtori aktual i TV-së Mufail Limani, në kohën kur ishte kryeredaktor ka bërë presion tek gazetarët që të bëjnë stand up para një subjekti politik për ta etiketuar se është përgjegjës për djegien e veturave të qeverisë, në kohën kur policia asnjëherë nuk gjeti prova se kush qëndron prapa kësaj vepre. Ai kishte shantazhuar gazetarët se nëse nuk e kryejnë këtë veprim, do t’i shkëpuste kontratat e punës. (19.01. 2013)

 –  Kronika për pagat në rajon ku del se Kosova ka pagat më të larta në rajon, pa bërë asnjë analizë të mirëfilltë të rrethanave ekonomike. (30.01.2015)

 –  Ndërprerja në gjysmë e edicionit të lajmeve të orës 23:00, vetëm për shkak se nuk kishte një lajm për një politikan. (19.01.2015)

 –  Analistë dhe pjestarë të shoqërisë civile hiqen nga kronikat, me arsyetimin se “kush janë ata” ? Për këtë ka pasur reagime të shumta.

 -Heqja e lajmit nga redaktori përgjegjës i TV-së për refuzimin e ambasadores amerikane, Tracey Ann Jacobson që të flas në ceremoninë e inaugurimit të ndërtimit të autosatrdës Prishtinë- Han i Elezit. (03 korrik 2014)

  – Redaktorja përgjegjëse e Radio Kosovës urdhëron heqjen nga edicioni informativ të reagimit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, për incidentin ndërmjet redaktorit Berat Miftari dhe drejtorit të Radios, Azem Bujupi. (01.06.2014)

  – Gazetarit Bajram Lani, i është hequr intervista me deputetin shqiptar në Suedi, pasi ai, duke u nisur nga përvoja politike në Suedi kishte deklaruar se qeveria mund të formohet edhe nga partitë që nuk e kanë fituar shumicën. (gusht 2014 – periudha e ngërcit dhe ekzistenca e VLAN-it)

  –  Largimi i tekstit të redaktores Serbeze Haxhiaj për operacionin e EULEX-it në mbrojtje të dëshmitarëve të Gjykatës Speciale. (04 .09 2014)

 –  Redaktorit Xhevat Sopi i dërgohet mesazh nga ud. Red. Përgjegjëse, që të hiqet teksti për Gjykatën Speciale. (04.09 2014)

  – Të njëjtën ditë, redaktorja përgjegjëse e radios i ka kërkuar edhe redaktorit të ndërrimit tjetër heqjen e tekstit të Gjykatës Speciale.

   –  Redaktores Gjylie Rexha i është kërkuar nga shefi i deskut  që të mos transmetohet raporti për raportimin e bordit të RTK-së se dhe drejtorit gjeneral të RTK-së tek anëtarët e Komisionit për media të Kuvendit (themeluesit të RTK-së) . (18 shkurt 2015)

  – Ud.red. përgjegjëse në radio, i ka kërkuar redaktorit Fadil Gashi, që ta heq lajmin për protestën e punëtorëve të RTK-së para Kuvendit. (01.04. 2015)

 Rikujtojmë poashtu se me datën 06.02.2014, drejtori gjeneral ka shkarkuar nga detyra redaktorin përgjegjës të aktualiteteve, Behxhet Begu, pasi që në emisionin Debat ishte zhvilluar një intervistë me një politikan opozitar, si dhe intervistat e realizuara nga Donat Syla në emisionin Target me ambasadorin gjerman dhe ambasadoren franceze. Për ndalimin e emitimit të intervistave me ambasadorët, ka pasur reagim publik. Redaktorët e redaksisë së aktualiteteve për 6 muaj nuk kanë mundur t`i realizojnë emisionet e tyre. Ata janë lejuar që të vazhdojnë me emsionet vetëm pasi paralajmëruan grevë.

Këto janë vetëm disa nga rastet që konfirmojnë pohimet tona se në transmetuesin e publik ka cenim të standardeve profesionale, lirisë së shprehjes dhe pengim të aktiviteteve sindikale. Redaktorët dhe gazetarët protestojnë kundër cenzurës, ndërsa drejtori gjeneral i RTK-së asnjëherë nuk i mori seriozisht shqetësimet e tyre.

 Ne jemi distancuar nga të gjitha partitë politike. Kemi kërkuar nga ato që kauza jonë të mos përfshihet në agjendën e tyre. Përderisa vartësit e drejtuesve të RTK-së na kanë folur edhe për ‘dashurinë’ ndaj liderëve të partive në pushtet, ata edhe kanë ndërprerë në mes edicione lajmesh, pse nuk është dhënë informacioni se njëri nga ta paska qenë në një ekspozitë.

 Në letrën e z. Shala përmenden gazetarë që kanë marr shpërblime. Majlinda Aliu, Serbeze Haxhiaj, Arta Avdiu, Vahide Morina, Jehona Zhitija, Gentiana Begolli dhe shumë të tjerë janë laureatë të cmimeve të ndryshme, por në punë përballen me presione, shantazhe e denigrime në mënyrë të vazhdueshme, duke ua ndalur madje edhe kronikat. Shumë nga to janë sulmuar verbalisht nga eprorët e tyre. Për më shumë, Serbeze Haxhiaj është larguar nga edicionet qendrore të lajmeve në Radio Kosova me arsyetimin se zëri i saj ”dëmton vlerën, seriozitetin dhe imazhin e Radio Kosovës”.

  Z. Shala në letrën drejtuar Reporterëve pa Kufij ka kërkuar që çdo reagim të ketë edhe palën tjetër. Ne pajtohemi plotësisht, andaj edhe rikujtojmë zotin Shala se nuk i ka informuar Reporterët pa Kufij se si janë sulmuar drejtuesit e sindikatës me termet më të ulëta në kronika të RTK-së, pa iu dhënë atyre mundësinë e fjalës. Në njëren prej këtyre kronikave, nënkryetari i sindikatës Arsim Halili dhe anëtarja e kryesisë Behare Bajraktari janë inkriminuar në edicionin qendror të lajmeve të dates 2 shtator 2014, pa iu ofruar mundësinë e dhënies së argumenteve.

 Z. Shala akuzon drejtuesit e sindikatës për aktivitet politik, vetëm pse ata kërkuan zgjidhje nga kuvendi si themelues i RTK-së. Ai refuzon ta pranojë faktin se ka larguar kryetarin e sindikatës Fadil Hoxha dhe nënkryetarin Arsim Halili për aktivitetin e tyre sindikal, por në të vërtetë dështon që në fillim, pasi, pos tjerash, ata u larguan nga puna në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë madje në ditën kur kuvendi tashmë kishte filluar seancën për të diskutuar rreth pretendimeve të ngritura nga sindikata për keqmenaxhim, korrupsion dhe censurë.

 Ju rikujtojmë se këta dy kolegë janë zgjedhur për të na përfaqësuar në kuvendin legjitim të sindikatës, që përfaqëson 400 punëtorë, prandaj ne nuk do të ndalemi assesi deri në kthimin e tyre në punë pasi që konsiderojmë se drejtori gjeneral ka shkelur ligjin për organizim sindikal dhe konventat ndërkombëtare për lirinë e asociimit në organizatat punuese.

Kjo letër me të vërtetë mund të duket e gjatë, por në fakt është shumë e shkurtër në krahasim me faktet që nënshkruesit e saj kanë për ndërhyrjet, censurën dhe keqmenaxhimin.

Të gjithë ne angazhohemi për një RTK të publikut, pasi në fakt menaxhmenti nuk është pronari. Sigurisht që shumë nga ne kemi mendime të ndryshme, por asnjëri nga ne, nuk ia lejon vetes që dikush në emrin tonë të prezantojë të pavërteta dhe imazh fiktiv. Sikur ta lejonim këtë, do të ishte më mirë të braktisnim qysh tash profesionin e gazetarisë.

 #RTKePUBLIKUT do të mbetet gjithnjë, pavarësisht grisjes së pankartave, e ne të gjithë kemi nevojë për mbështetjen e atyre që jemi të thirrur t’i informojmë drejtë dhe në mënyrë të paanshme.

 Me respekt:

  1. Rabisha Muhaxhiri, redaktore

 2. Enver Bajrami, redaktor

 3. Leonora Berbatovci, gazetare

 4. Shkumbin Ahmetxhekaj, redaktor

 5. Arsim Halili, redaktor

 6. Festim Kabashi, redaktor

 7. Blerta Foniqi, redaktore

 8. Diana Dani, redaktore

 9. Donat Syla, redaktor

 10. Behxhet Begu, redaktor

 11. Xhymret Veliu, redaktor

 12. Hyrë Tejeci, redaktore

 13. Mimoza Zajmi, redaktore

 14. Ridvan Berisha, redaktor

 15. Serbeze Haxhiaj, redaktore

 16. Gjylie Rexha, redaktore

 17. Rrezarta Zekaj, gazetare-redaktore

 18. Dhuarata Kaba-Mustafa, redaktore

 19. Behare Bajraktari, gazetare-redaktore

 20. Beriana Mustafa, redaktore

 21. Bajram Lani, gazetar

 22. Ajkuna Tolaj, redaktore

 23. Mejreme Tahirukaj, gazetare

 24. Lindita Azizi, redaktore

 25. Flora Durmishi, redaktore

 26. Vlorë Gashi- Fetoshi, gazetare

 27. Vaide Morina, gazetare

 28. Fatmire Rrahmani, asistent redaktore

 29. Flutura Abdullahu, gazetare

 30. Nimetullah Cahani, gazetar

 31. Drita Loshi, asistent redaktore

 32. Pajazit Krasniqi,gazetar

 33. Drita Miftari,asistent redaktore

 34. Naim Bunjaku,gazetar

 35. Pranvera Munishi-Morina, redaktore

 36. Majlinda Aliu, gazetare

 37. Arta Avdiu, gazetare

 38. Blerim Haxhiaj, redaktor

 39. Meneta Zekaj-Nushi, redaktore

 40. Gentiana Begolli-Pustina, gazetare

 41. Adriana Kabashi, redaktore

 42. Ardita Tafallari, redaktore

 43. Vlora Rrustemi, gazetare

 44. Zekë Sinanaj, redaktor

 45. Xhevat Sopi, redaktor

 46. Rilind Gërvalla, gazetar

 47. Majlinda Doda, gazetare

 48. Jehona Zhitia,gazetare

 49. Fitnete Tuda, redaktore

 50. Visar Duli, gazetar

 51. Arben Fetoshi, redaktor

 52. Valbona Ismaili-Meholli, redaktore

 53. Ardiana Gashi- gazetare

 54. Veton Rugova- gazetar

 55. Ilire Zajmi, kordinatore për trajnime, ish redaktore në TV

 56. Arben Rashiti, gazetar redaktor

57. Arben Veselaj, gazetar

58. Valentina Kryeziu, gazetare

59. Muharrem Saragjolli, asistent redaktor

60. Luan Qorraj, gazetar

Lajme të ngjashme

Back to top button