“Jo” Rusisë, a duhej?

Shqipëria ia refuzoi ftesën Rusisë, të udhëhequr nga Vladimir Putin, për të marrë pjesë në paradën ushtarake në përkujtim të 70-vjetorit të fitores mbi nazizmin. Nuk është vetëm Shqipëria, por edhe një sërë shtetesh në BE, ata të cilat ia kanë refuzuar ftesën Moskës zyrtare.
 
E përballur fuqishëm me një “sulm politik” nga BE-ja lidhur me aneksimin e Krimesë, Rusia e Putinit sërish duket se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga politika e vet. Rusia e ka marrë tashmë Krimenë dhe nuk kërkon as bisedime lidhur me këtë çështje. Zyrtarët e lartë rusë nuk i kanë ndalur edhe retorikat anti-amerikane dhe anti-evropiane, duke akuzuar Perëndimin si dekadent dhe “nazist” për ç’ka po bën në territorin e Ukrainës.
Putini nuk është lider paqësor
Vladimir Putin nuk është lider paqësor. Ai nuk e dëshiron një miqësi me Amerikën dhe as nuk dëshiron të ulet në tryezë për të arritur marrëveshje për Krimenë. Putini ka tendencë të thotë se SHBA-ja është e rrezikshme dhe e sheh atë si armike të Rusisë. Ai nuk mund të jetë Gorbaçovi, i cili ishte për Rusi normale dhe arriti edhe marrëveshje me Amerikën. Ai shpesh bën edhe lidhjen e pakuptimtë, të asaj që Rusia ka qenë dikur fituese në luftën kundër Gjermanisë naziste të kohës dhe të sotmes.
 
Të barazosh dy kohë krejt të ndryshme, kur kushtet janë krejt po krejt të ndryshme, nuk është aspak normale. Si pasojë e politikës së Putinit, sidomos në Ukrainë, ku është ndërhyrë me pa të drejtë, pasi nuk ka shkelje të rënda të të drejtave të rusëve në këtë shtet, presidenti rus ka humbur shumë aleatë evropianë. Shtete që dikur kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik, i kanë kthyer shpinën Rusisë, sidomos ata shtete që tashmë janë pjesë e BE-së apo politikave të saj. Putin dëshiron një “Rusi të re”, një projekt ky që as nuk shkon për shtat me kohët që jetojmë, kohë të cilat në qendër kanë njeriun dhe të drejtat e tij.
 
“Hakmarrje” e Putinit për Kosovën?

Kur NATO-ja bombardoi Beogradin për shkak të dhunës dhe respresionit agresiv serb, ndërhyrja ishte për arsye humanitare, pasi po vriteshin shqiptarët e pafajshëm nga makineria ushtarake fashiste e Millosheviçit. Pra, ndërhyrja ishte në emër të të drejtave të njeriut, që mos të lejohej më vrasja e njerëzve të pafajshëm në Kosovë. SHBA-ja do të ndërhynte në Kosovë duke shkelur ligjet ndërkombëtare, pasi në Këshillin e Sigurimit nuk u votua pro-ndërhyrjes në Kosovë nga Kina dhe Rusia.
 
Por, se lidhur me Kosovën, sikur çdo gjë të ndodhte në Kosovë, me siguri që Moska dhe Pekini do të vendosnin veton në çdo kohë. Derisa në Kosovë po kryheshin masakra mbi civilë, ndërhyrja ishte e nevojshme. Kjo ndërhyrje nuk do ti pëlqente Rusisë – kryeministrit rus të kohës Primakovit. Shumë politologë të zhvillimeve politike globale kanë thënë se Putin, ndërhyrjen në Ukrainë mund ta ketë në formë hakmarrje për Kosovën. Lidhja logjike është se sikundër SHBA-ja shkeli në rastin e Kosovës parimin se çdo vend i KS-së duhet të votojë “pro” që të merren vendime për ndërhyrje ushtarake, atë po bën Rusia sot në shtetin ukrainas. Gjithsesi, një lidhje të tillë e bën vetëm Rusia, por se Kosova dhe Krimea nuk janë raste të njëjta. Kjo, për shkak se në Krime nuk janë shkelur të drejta civilësh, sikundër është bërë në Kosovë.
 
Figura e Putinit
 
Vladimir Putin është bërë sot një lider autoritar në vendin e tij, i cili është kthyer në armik të perëndimit, më shumë për shkak të deklaratave të tij kundër Perëndimit. Përveç Marine-Le-Pen, Alexis Tsipras dhe liderë të shteteve ku kanë shumë ndikim partitë ekstreme të majta apo të djathta, vendet që janë tashmë nën ombrellën e BE-së e kundërshtojnë Putinin.
 
Edhe historia që nën regjimin e Putinit ka shumë shkrimtarë, poetë dhe politikanë që janë dënuar apo vrarë në mënyrë të mistershme dhe se shpesh kanë qenë kundër Putin, flet për atë se zëri kundër presidentit rus në Rusi edhe dënohet. Duket se koncepti i lirisë tek Putin është i mangët, por më së shumti ai kërkon të bëjë realitet projekte ekspansioniste ruse, të cilat mund ti kthehen edhe pas si boomerang.

Lajme të ngjashme

Back to top button