Egjipti dënon me vdekje liderin e Vllazërisë Myslimane

Lideri i Vllazërisë Muslimane në Egjipt, Mohamed Badi, është dënuar me vdekje bashkë me 13 pjestarë të tjerë, nën akuzën e shkaktimit të kaosit dhe dhunës.

Vendimi i Gjykatës u aprovua edhe nga Myftiu i Madh i vendit, duke respektuar ligjet egjiptiane që çdo dënim me vdekje duhet miratuar edhe nga autoriteti më i lartë fetar.

Megjithatë, vendimi mund të apelohet dhe ekzekutimi i dënimit mund të kryhet vetëm pas disa vitesh. Të gjithë të dënuarit kanë qenë pjesë e mijëra të burgosurve të arrestuar pas rrëzimit të Presidentit Mohamed Mursi nga pushteti.

71-vjeçari Badi u ndalua nga autoritetet në gusht 2013, ndërsa udhëhiqte një protestë në mbështetje të Mursit. Ai dhe të tjerët akuzohen se kanë mbështetur kryengritje me bazë fetare, të cilat kanë marrë disa qindra jetë civilësh dhe ushtarakësh.

Vllazëria Myslimane pretendon se është vetëm një lëvizje paqësore, por Presidenti në detyrë, Abdel Fatah Al-Sisi, i cili ishte në krye të gjeneralëve të ushtrisë që rrëzuan Mursin nga pushteti, e ka përshkruar gjithnjë organizatën si rrezik për sigurinë kombëtare./Oranews/

Lajme të ngjashme

Back to top button