Obama flet në Samitin e Panamasë: Me Kubën, rast historik

Fakti që unë dhe Castro jemi ulur këtu është një rast historik. Lufta e ftohtë ka mbaruar prej kohësh dhe nuk jam i interesuar për beteja që kanë nisur para se unë të lindja”.

Me këto fjalë presidenti amerikan Barack Obama ka ndërhyrë në Samitin e vendeve amerikane në Panama.

“Amerika nuk do të mbetet peng e së kaluarës, as me Kubën e as me vendet e tjera të zonës. Shtetet e Bashkuara shohin përpara dhe ky samit është një moment historik”, ka deklaruar Obama.

Megjithatë, shefi i shtëpisë së Bardhë ka pranuar se mes dy vendeve ka ende qëndrime të kundërta për shumë çështje.

“Nuk mendoj se kjo është sekret dhe presidenti Castro do të jetë dakord. Ne do të vazhdojmë të flasim në bazë të vlerave universale që konsiderojmë të rëndësishme. Nga ana tjetër, jam i sigurt se presidenti Castro do të vazhdojë të flasë për çështje që i konsideron po ashtu të tilla”, ka thënë Obama.

Më tej ai e ka vënë theksin tek nevoja e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kubën. “I kam kërkuar Kongresit që të nisë punën për të hequr embargot që janë në fuqi prej dekadash”, ka shtuar presidenti amerikan.

Ndërsa homologu i tij Raul Castro, kur ka marrë fjalën ka bërë edhe shaka. “Duhet të flisja për 8 minuta, por duke qenë se më detyroheni 6 samite, 6 shumëzuar për 8 bëjnë 48 minuta”, ka thënë ai.

Presidenti kubanez e ka cilësuar “interesant” fjalimin e homologut amerikan që foli pak minuta përpara tij.

Për ekspertët, politika e afrimit e Amerikës është logjike. Obama e ka kuptuar se koha më shumë se 50-vjeçare e akullit nuk ka sjellë asnjë kthesë pozitive në Kubë, por e ka rënduar gjithnjë e më shumë imazhin e Shteteve të Bashkuara në Amerikën Latine.

Njëkohësisht, Kina dhe Rusia angazhohen gjithnjë e më fort dhe kanë fituar ndikim në shumë shtete të rajonit. “Në këtë situatë, para së gjithash Kuba duhet të kërkojë donatorë të rinj dhe këtu mbyllet edhe qarku i pragmatizmit, i cili nuk është i huaj edhe për komunistët kubanë”, vlerësojnë analistët.  / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button