Kërkohet ndërprerja e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE

Europarlamentarët europianë kërkojnë që të ndërpritet procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kërkesa ka ardhur zyrtarisht, në formë amendamenti, nga deputetë të dy grupeve në Parlamentin Europian.

Kryetarja e të djathtës franceze të Front National, Marine Le Pen së bashku me tre eurodeputetë të tjerë të kësaj partie, prezantojnë një amendament, sipas të cilit, Shqipëria mund të reformohet jashtë Bashkimit Europian.

“Shqipërisë i është akorduar statusi i vendit kandidatit. Megjithatë, konsolidimi i reformave demokratike dhe reforma të mëtejshme janë krejtësisht të mundshme jashtë procesit të anëtarësimit”, – thuhet në amendament.

Një tjetër amendament vjen nga grupimi i djathtë italian, Lega Nord. “Duke pasur parasysh dobësinë e vazhdueshme të gjyqësorit, korrupsionit në shkallë të lartë, prezencën e fortë të krimit të organizuar, mungesën e mbrojtjes së minoriteteve, diskriminimin kryesisht të grave, mungesën e transparencës në financimin e medias, duke konsideruar rritjen e papunësisë dhe çështjet që lidhen me kushtet e tregut të punës, si dhe nga ana tjetër, se Komisioni Evropian nuk ofron ndonjë anëtarësim të ri në Bashkimin Evropian gjatë pesë viteve të ardhshme, kërkojmë pezullimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërinë në Bashkimin Europian”, – thuhet në amendament.

Ditën e hënë më 13 prill 2015 në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian do të paraqiten një numër rekord amendamentesh për draft-rezolutën për progresin në integrimin europian të Shqipërisë të vitit 2014.

Janë plot 192 amendamente janë paraqitur për draft-rezolutën e raportuesit Knut Fleckenstein, që do të diskutohet të hënën.

Ajo që tërheq vëmendje lidhur me këtë draft-rezolutë, nuk është vetëm aspekti sasior i amendamenteve por edhe përmbajtja e tyre.

Për herë të parë, shumica dërrmuese e amendamente ka të bëjnë me pesë kriteret kryesore të Shqipërisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe konkretisht me luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, administratën publike, të drejtat e njeriut dhe gjyqësorin.

Por sigurisht, bashkëpunimi midis forcave politike për integrimin europian, mbetet kyç. “Ne nënvizojmë rëndësinë e një bashkëpunimi të mirëfilltë politik mes të gjitha partive politike, që duhet të ndiqet nga një angazhim i vërtetë për të ndërtuar një kulturë politike demokratike në veçanti, duke forcuar dialogun dhe aftësinë për të kërkuar dhe për të pranuar kompromisin dhe konkurrencë të ndershme, në mënyrë që, qytetarët të kenë besim më të madh te institucionet publike. Kujtojmë se koalicionin qeverisës duhet t’i krijojë opozitës mundësinë për të ushtruar të drejtën e saj të kontrollit demokratik”, – thuhet në amendamentet lidhur me integrimin europian të vendit.

Draft-rezoluta do të diskutohet për një orë e tridhjetë minuta të hënën pasdite në komisionin e punëve të jashtme të Parlamentit Europian dhe do të votohet të martën në mëngjes. /noa

Lajme të ngjashme

Back to top button