“Zonja e hekurt” e SHBA-së në garën për presidente

Ish-sekretarja e Shtetit do shpallë ambicien e saj përballë një morie kundërshtarësh republikanë

Ish-sekretarja karizmatike e Shtetit, e cilësuar jo rrallëherë edhe si “zonja e hekurt” e SHBA, Hillary Clinton, do të njoftojë zyrtarisht të dielën synimin e saj për të kandiduar për postin e Presidentit në zgjedhjet e radhës që do të mbahen në vitin 2016.

Lajmi zyrtar për shpalljen e saj si kandidate e Partisë Demokratike në zgjedhje, duke çelur edhe fushatën për kampin e saj politik që do të pasojnë përfundimin e mandatit të dytë të Presidentit aktual, Barack Obama, do të realizohet përmes një videoje në mediat sociale, sipas informacioneve që u servirën fillimisht nga britanikja “The Guardian” e më pas edhe mediat amerikane, të cilat citonin zëdhënësin e zyrës së zonjës Clinton dhe anëtarë të stafit të afërt të saj.

Clinton kandidon për herë të dytë si demokrate

Sipas këtyre burimeve, zonja Clinton pas njoftimit, do të shkojë në shtetet ku mbahen votime të hershme, si Ajova (Iwova) dhe Nju Hempshër. Kjo është hera e dytë që zonja Clinton kandidon për të marrë emërimin e partisë së saj për zgjedhjet presidenciale.

Në zgjedhjet e 2008-s ajo humbi ndaj kandidatit Barack Obama, i cili fitoi emërimin për t’u ndeshur me rivalin republikan, duke sjellë realisht edhe fitoren për kampin demokrat, çka i hapi rrugën gjithashtu atij edhe një fitore të dytë përballë tyre në 2011, shkruan gazetaShqip.

Por duket se këtë herë shanset për zonjën Clinton janë evidente dhe ajo shihet si favorite për të marrë emërimin final të partisë së saj.

Sondazhet favorizojnë “zonjën e hekurt”

Nga një anketë e firmës “Gallup” rezulton se 50 për qind e të anketuarve kanë mendim të favorshëm për zonjën Clinton, ndërsa 39 për qind nuk e mbështesin atë. Kjo është mbështetja më e lartë për një kandidat të mundshëm presidencial në një fazë parazgjedhore. Nëse zgjidhet, ish-zonja e Parë do të bëhej gruaja a parë presidente në Shtetet e Bashkuara, duke vendosur sërish një rekord të ri pas konsumimit të mandatit nga paraardhësi i vet, i cili gjithashtu shënoi një rekord më vete duke qenë i pari President i SHBA që vinte nga komuniteti i njerëzve me ngjyrë.

Kampi republikan zien nga zhvillimet 

Ndërkaq, nga kampi republikan prej kohësh tashmë janë regjistruar zhvillime dhe priten gjithashtu edhe zhvillime të tjera, me një lumë kandidaturash. Së fundmi, kandidaturën e tij për postin presidencial mes një rivaliteti të brendshëm me kolegët e partisë së tij, e shpalli edhe Rand Paul, një senator nga Kentaki, i cili përbën edhe rastin e parë të një kandidati, për më tepër republikan, që kërkon legalizimin e marijuanës.

Është i pari kandidat republikan, i cili nëse do të fitonte nuk do të përqendrohej në politikën e jashtme, duke argumentuar se kështu vendi do të mudn të kursente më shumë. 52-vjeçarin priten ta pasojnë disa kandidatë të tjerë, ndër të cilët më i famshmi dhe më i mundshmi për të “çarë përpara”, vlerësohet të jetë Jeb Bush, nga dinastia “Bush”.

Po ashtu, më parë gjatë muajit janar, vetëm tri javë pasi kishte shpallur ambicien e tij për postin presidencial në zgjedhjet e 2016, Mitt Romney nga kampi republikan deklaroi tërheqjen nga gara.

Lajme të ngjashme

Back to top button