SA LARG AQ AFËR

Mikja ime me dashuri kryeneçe,

Ti vetëm tash mund ta kuptosh platoniken, pasi më së miri mësojmë nga lëkura, jo nga librat, as nga të tjerët.

Të kujtohet kur profesoresha Lirije ndalej afër dritares me trupin e vet thatanik dhe në mësimet mbi “Komedinë hyjnore” të Dantes apo sonetet e Petrarkës apo poezinë e Rilkes fliste gjerë e gjatë e butë për dashuritë e mëdha që mbeten të mëdha edhe atëherë ose sidomos atëherë kur spërlyhen nga llumi i përditshmërisë. Rrëfimi për Dante Aligierin dhe Beatriçe Portinarin fillonte me takimin fatal kur ai ishte 9, kurse ajo 8 vjeçe.

Mandej ishin parë vetëm edhe njëherë: Ajo – vajzë e rritur, veshur në të bardha, me dy gra tjera në një bregore, Ai – i mpiksur fare që e sheh përsëri, nuk ia ndan sytë, nuk sheh asgjë tjetër.

I ngjan legjendës, por s’është e pamundur, s’ka gjë më fantastike se sa jeta.

As nuk u njohën, as nuk u prekën.

Ajo martohet për tjetër, vdes në moshën 24 vjeçare.

Ai mandej me bashkëshorte dhe pesë fëmijë.

Dashuria e Dantes për Beatriçen filloi dhe zgjati përjetësisht vetëm në sajë të shikimit.

Si e donte aq kur nuk arriti bile as ta njohë?

Ti tash mike e din “nga lëkura” se pamundësia është katalizator: ose i shuan ndjenjat, ose i përndez ato.  Prandaj dashuria e pamundur e Dantes zgjati sa jeta vetë. Nuk ishte marrëdhënie, por mahnitje dhe adhurim. Duke i qëndruar larg, ende më shumë i afrohej asaj. “Femra shumë e bukur e mendjes sime” siq thotë ai një varg, hyri në sonetet, e bëri të pavdekshme “Komedinë hyjnore” si prijëse në rrugën drejt Purgatorit dhe Parajsës, duke mbetur simbol për të paaritshmen, por më shumë se krejt kjo: cytje për spastrim, introspekcion dhe fisnikërim.

Ndër më të hijshmet gra të botës mbete,
E bukur fort, fytyrë e përkorë,
Dhe yjt e qiellit ti vet’ i bën minorë,
Çudit’ e botës ti i mban me vete.(Petrarka)

Në rrëfimin poashtu kryeneç të dashurisë së Françesko Petrarkës përvijohet një datë fatale, 6 prilli.

Atë ditë në qytetin Avinjon, te kisha e Shën Klarës, Petrarka e sheh Laurën për të parën herë.

Nuk i afrohet, nuk këmbejnë asnjë fjalë. Sall dashurohet.

Ishte grua e një tregtari të pasur, lindi 9 fëmijë.

Ajo nuk e njohu poetin, asnjëherë nuk u bënë bashkë.

Por tërë kohës, pa e ditur as vetë ajo, ka qenë shumë afër tij.

Pasi afërsia e dashurisë fatale matet me kute tjera.

I afërt mund të jetë edhe ai që rri larg dhe haberin s’e ka për ndjenjat tua; i afërt mund të mbetet ai që mbrohet me largësi dhe fshehet pas murit të heshtjes.

Në datën kur kishte lind dashuria, 6 prill, 21 vjet më vonë, Laura vdes. Lajmin për vdekjen e saj Petrarka e kupton më 19 maj, nga letra e një miku, derisa ndodhej në Veronë.

Ajo çka mbeti dhe jeton shumë më gjatë se dashuria janë sonetet e tij.

Dhe nëse mbart një dhimbje kaq të madhe,
Përkundër erës varka ime shkon
Në det me dallg’, pa prehje, pa timon.

Ajo më futi në burg, hapsan’ e laqe,
As nuk më mban, as nuk më le të ikim
Dhe më largon dhe hallkë më vë tek shpirti,
As rroj, as vdes, as dhimbjet s’kanë caqe.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button