Negative testet e deritanishme për tuberkuloz në SHF “Vasill Glavinov”

Janë negative të gjitha testimet për tuberkuloz të cilat u janë bërë deri më tani nxënësve dhe kuadrit mësimor në SHF “Vasill Gllavinov” në Komunën e Çairit të cilët kanë qenë në kontakt me mësuesën e prekur nga kjo sëmundje.

Negative janë edhe testet e anëtarëve të familjes. Kontrollet do të vazhdojnë nga e marta te të gjithë për të cilët epidemiologët do të vlerësojnë se ka nevojë, njoftuan sot institucionet kompetente prej ku besojnë se po ndërmerren të gjitha masat e sigurisë së nxënësve dhe të punësuarve.

Për mësuesen e prekur nga tuberkulozi do të jepet vendim i përkohshëm për largim nga puna derisa të zgjasë shërimi gjegjësisht derisa nuk jepet rezultat negativ. Mësimi në shkollë, sipas drejtorisë, zhvillohet pa ndërprerje dhe pa probleme. “Gëzon fakti se testet që i kanë kaluar të gjithë nxënësit janë negative. Procesi i mësimit zhvillohet normalisht dhe nuk duhet pasur panik.

Menjëherë kur mësuam për mësuesen është gjetur zëvendësim dhe mësimi zhvillohet pa probleme”, deklaroi drejtori i SHF “Vasill Gllavinov”, Qamuran Kuçi. Sipas Kuçit, nxënësit dërgohen në testime të ndarë nëpër klasë varësisht prej orarit të cilin e marrin nga institucionet shëndetësore kompetente.

Nga Inspektorati shtetëror shëndetësor thonë se kanë bërë kontroll të jashtëzakonshëm në “Vasill Glavinov” më datën 8 të këtij muaji pas informacionit nga Qendra për shëndet publik Shkup. Nga dispanseri për Antituberkuloz të Shtëpisë së Shëndetit Shkup në kuadër të Poliklinikës Bit Pazar më 25 mars kanë dërguar njoftim deri te shkolla se bëhet fjalë për sëmundje infektuese dhe se duhet të realizohen kontrolle.

“Është konfirmuar se kushtet higjienike në shkollë janë të mira dhe se përdoren mjete dezinfektuese. Më 9 prill Qendra për shëndet publik ka realizuar dezinfektimin e 1.500 metrave katror në shkollë”, deklaroi drejtori i Inspektoratit shtetëror shëndetësor dhe sanitar, Xhevdet Shaqiri.

Lajme të ngjashme

Back to top button