“Monstra”, familjarët e të burgosurve: LSDM sa më shpejtë të publikojë materialin që posedon!

Familjarët e të akuzuarve për rastin “Monstra” përshëndetin aktin e liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev, i cili takoi prindërit e të rinjve që humbën jetën në liqenin e Smillkovës.

Familjari i Fejzi dhe Haki Azirit, Bedri Ajdari shprehet se nëse qëllimet e Zaevit kanë qenë të mira dhe që ndikojnë në zbardhjen e dëshmive që ai posedon, atëherë ne e përshëndesim atë, dhe shpresojmë që edhe neve të na takojë.

“Nëse lideri i opozitës ka dëshmi që familjarët tanë janë të pafajshëm, ashtu siç pohoi, ato duhet të publikohen. Mendojmë që është një gjest shumë i mirë ky, që vizitoi familjarët e të rinjve që humbën jetën në mënyrë tragjike, dhe shpresojmë që do të na vizitojë edhe neve, sepse nëse ai mban përgjimet ai di që familjarët tanë janë të pafajshëm”, tha për Portalb, Ajdari.

Ai shtoi se nëse përgjimet nuk publikohen, të akuzuarit do të kalben burgjeve pasi që u dëshmua që gjykata është tërësisht e politizuar.

“Ne e dimë që është rast i montuar dhe përderisa ashtu vazhdon të jetë, gjyqësia nuk mund të bën asgjë ngase është nën kthetrat e pushtetit, është tërësisht e politizuar. Andaj apelojmë sërish që nëse ka material për zbardhjen e këtij rasti, ato duhet të publikohen edhe për dëshminë e pafajësisë së familjarëve tanë, mirëpo edhe për gjetjen e fajtorëve që kryen këtë krim makabër, me qëllim që familjarët e të ndjerëve të kenë paqe”,shtoi Ajdari.

Sa i përket ankesës që avokati mbrojtës Naser Raufi dorëzoi para pesë muajve në Gjykatën e Apelit, ende nuk ka asgjë të re, se a do të rishqyrtohet rasti apo si do të shkon procedura.

“E dinim që në muajin janar nuk do të marrim asnjë përgjigje shkaku i festave, mirëpo në shkurt ishte paraparë që Apeli të kthejnë përgjigje lidhur me vendimin mbi ankesën tonë.  Kanë kaluar 5 muaj që kur kemi dorëzuar aktvendimin dhe ende nuk ka asgjë, shumë po zvarriten procedurat pa asnjë arsye”, tha për Portalb, Raufi.

Sipas Raufit, gjykatësit e apelit do të bëjnë punën si duhet dhe se e vërteta do të del në shesh.

“Jam optimist dhe e vlerësoj punën e gjykatësve të Apelit pasi që ata janë profesionistë dhe mendoj se do të del e vërteta në shesh. Edhe nëse nuk ka asgjë për këtë rast në përgjimet e publikuara nga opozita, sërish besoj në pafajësinë e të burgosurve. Por si duket edhe Gjykata e Apelit po pret përgjimet pasi që nuk është marrë ndonjë vendim deri më tani”, tha Raufi.

Ndërkaq lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev kohë më parë tha se do të publikoj gjithçka që posedon për rastin “Monstra” kur u vranë katër fëmijë dhe një person i rritur pranë liqenit të Smillkovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button